Lifestyle

Ushqimet e thjeshta që mund të ulin rrezikun nga vdekja e hershme

ushqimet e pasura me kalium

Ushqimet e pasura me kalium

Foto: Associated Press

Konsumimi i perimeve me gjethe të gjelbra dhe ushqimeve si banania mund të ulë rrezikun nga sëmundjet e zemrës, rrahjet e çrregullta dhe vdekshmëria deri në 25 për qind, ka treguar një studim i ri, raporton The Independent.

Ushqimet e pasura me kalium, si salmoni, brokoli dhe spinaqi, ndihmojnë trupin të eliminojë më shumë kripë nga sistemi dhe kështu ulin ndjeshëm mundësinë për sëmundje të zemrës. Studimi ka gjetur se nivelet më të larta të kaliumit në gjak lidhen me rrezik dukshëm më të ulët të ngjarjeve kardiake, shtrimeve në spital ose vdekjes nga çdo shkak.

 “Trupi i njeriut është zhvilluar me dietë të pasur me kalium dhe të varfër me natrium, kur paraardhësit tanë ushqeheshim me fruta e perime. Tani shohim se sa më shumë ushqime të përpunuara hamë, aq më shumë natrium marrim dhe më pak kalium, duke e përmbysur raportin nga 10:1 në 1:2, ndryshim dramatik”, ka thënë për The Guardian, profesori Henning Bundgaard nga Spitali i Kopenhagës, autor kryesor i studimit.

Ai ka theksuar se kaliumi është jetik për funksionimin e zemrës dhe mungesa e tij mund të rrisë rrezikun e aritmive, dështimit të zemrës dhe vdekjes.

Studimi ka përfshirë 1,200 pacientë me defibrilatorë të implantuar, ku gjysma e tyre u ndoqën me dieta të pasura me kalium dhe me më pak mish, i cili përmban kalium por edhe sasi të larta natriumi. Rezultatet u prezantuan në kongresin e Shoqatës Evropiane të Kardiologjisë në Madrid, ngjarja më e madhe botërore për shëndetin e zemrës.

“Me një vështrim më të gjerë, mund të themi se konsumimi më i madh i kaliumit përmes ushqimit nuk i ndihmon vetëm pacientët me sëmundje të zemrës, por ndoshta të gjithë ne. Prandaj ndoshta të gjithë duhet të ulim natriumin dhe të rrisim kaliumin në ushqimin tonë”, ka shtuar Bundgaard.

Një tjetër studim i publikuar në muajin prill në American Journal of Physiology-Renal Physiology kishte arritur në një përfundim të ngjashëm.

“Kërkimi ynë sugjeron se shtimi i më shumë ushqimeve të pasura me kalium, si bananet apo brokoli, mund të ketë ndikim më pozitiv në uljen e presionit të gjakut sesa vetëm kufizimi i natriumit”, ka thënë autorja e studimit Anita Layton.