Lifestyle

Ushqimet e përpunuara që e dëmtojnë trurin më së shumti

Ushqimet e përpunuara

Ushqimet e përpunuara

Ushqimet e përpunuara që e dëmtojnë më shumë trurin, sipas një studimi të ri, janë mishi i përpunuar dhe pijet e gazuara me sheqer.

Studiuesit nga Universiteti Virginia Tech kanë zbuluar se personat që konsumojnë rregullisht këto produkte kanë rrezik dukshëm më të lartë për të zhvilluar probleme me aftësitë njohëse, përfshirë ato që lidhen me demencën dhe sëmundjen e Alzheimerit, ka raportuar Science Alert.

Në bazë të të dhënave të mbledhura nga studimi i Universitetit të Michiganit për Shëndetin dhe Pensionimin, u analizuan 4,750 amerikanë mbi 55 vjeç, duke ndjekur shëndetin e tyre për një periudhë deri në shtatë vjet, nga viti 2014 deri në vitin 2020. Çdo dy vjet, pjesëmarrësit iu nënshtruan testeve për vlerësimin e kujtesës, përfshirë kujtimin e menjëhershëm dhe të vonuar, si dhe ushtrime të tjera për llogaritje të thjeshta dhe përqendrim.

Rezultatet treguan se 1,363 pjesëmarrës zhvilluan probleme të kujtesës ose njohjes. Ata që konsumonin të paktën një racion shtesë mishrash të përpunuar në ditë kishin 17 për qind më shumë rrezik për çrregullime të aftësive njohëse. Ndërsa ata që pinin çdo ditë një pije të ëmbëlsuar, si kola, çaj i ftohtë me sheqer apo lëngje frutash industriale, kishin 6 për qind më shumë rrezik.

Në mënyrë interesante, studimi nuk gjeti lidhje të fortë mes konsumit të përgjithshëm të ushqimeve të shumëpërpunuara dhe rritjes së rrezikut për probleme njohëse, përveç mishrave të përpunuar dhe pijeve me sheqer. Kategoritë e tjera, si ushqimet e gatshme, ëmbëlsirat, grimcat e kripura apo produktet me bazë drithërash dhe bulmeti, nuk treguan ndikim të njëjtë negativ.

Autorët e studimit theksojnë se shmangia e këtyre dy kategorive kryesore mund të ndihmojë në mbrojtjen e shëndetit të trurit.

“Ka gjëra që mund t’i ndryshoni. Sekreti është moderimi dhe balanca në zgjedhjet ushqimore”, ka thënë profesoresha Brenda Davy, bashkautore e studimit.

Sipas saj, ndikimi i ushqimeve të përpunuara është më i madh sesa mendojnë shumica e njerëzve. Rreth 65 për qind e ushqimeve dhe 38 për qind e pijeve të blera nga familjet amerikane në vitin 2020 përbëheshin nga produkte ultra të përpunuara, që karakterizohen nga përmbajtje e lartë industriale, ngjyrues, aromatizues dhe përbërës artificialë që mungojnë në gatimet e shtëpisë.

Studimi thekson se si të rinjtë ashtu edhe të moshuarit marrin më shumë se gjysmën e kalorive të përditshme nga këto ushqime.

Një nga autorët, shkencëtari Ben Katz nga Virginia Tech, ka sugjeruar se edukimi ushqimor mund të jetë pjesë e zgjidhjes.

“Një gjë është të ndjekësh një dietë, por diçka krejt tjetër është t’u japësh njerëzve aftësitë për të gatuar sipas asaj diete”, ka thënë Katz.