Lifestyle

Testi treminutësh që mund ta zbulojë se cilët janë të rrezikuar nga Alzheimeri

Fotografi nga Nikola Scanlon/Brace Dementia Research

Fotografi nga Nikola Scanlon/Brace Dementia Research

Testi i ri i trurit, që zgjat vetëm tre minuta, mund t’i identifikojë problemet e kujtesës të lidhura me sëmundjen e Alzheimerit shumë përpara se të përcaktohet diagnoza, duke rritur shpresat se ai mund t'i ndihmojë mjekët të dallojnë pacientët që mund të përfitojnë më herët nga trajtimet e reja, ka raportuar The Guardian.

Provat e para kanë treguar se testi, i njohur si “Fastball”, mund të dallojë te pacientët me çrregullim të lehtë të aftësive njohëse (MCI) -  gjendje që prek kujtesën, të folurin ose të menduarit, por pa e penguar jetën e përditshme - se kush ka më shumë rrezik për të zhvilluar Alzheimer.

Aktualisht, studime me grupe më të mëdha janë duke u zhvilluar.

“Ky test na tregon se metoda jonë e re pasive për matjen e kujtesës, e ndërtuar posaçërisht për diagnozën e Alzheimerit, mund të jetë shumë e ndjeshme për individët me rrezik të lartë, por që ende nuk janë diagnostikuar”, ka thënë doktori George Stothart, neuroshkencëtar në Universitetin Bath, ku është zhvilluar testi.

Testi funksionon si një elektroencefalogram (EEG). Përmes sensorëve të vendosur në kokë, regjistrohet aktiviteti elektrik i trurit ndërsa pjesëmarrësit shikojnë një sërë imazhesh që shfaqen me shpejtësi në ekran. Përpara testit, vullnetarëve u tregohen tetë figura, të cilat u kërkohet vetëm t’i emërtojnë, pa u thënë t’i kujtojnë. Më pas, gjatë testit, çdo i pesti imazh është një nga ato që ata kanë parë më herët.

Rezultatet treguan se personat me MCI amnestik, që prek kryesisht kujtesën për objekte, reaguan më dobët krahasuar me të rritur të shëndetshëm dhe ata me forma të tjera të MCI. Ky grup është disa herë më i rrezikuar të zhvillojë Alzheimer sesa pacientët me MCI jo-amnestik.

Megjithatë, testi nuk mund të tregojë me siguri se kush do të zhvillojë Alzheimer.

Por, sipas shkencëtarëve, nëse gjetjet konfirmohen në studime më të mëdha, ai mund të bëhet mjet i vlefshëm për mjekët. Ai mund të ndihmojë në përcaktimin se cilët pacientë janë në rrezik të lartë dhe mund të përfitojnë nga ilaçet e reja.

Të gjitha testimet janë kryer në shtëpitë e pjesëmarrësve,  gjë që, sipas Stothart, “është e rëndësishme për t’i bërë ato të qasshme dhe për të ulur ankthin e njerëzve”.

Profesori Vladimir Litvak, nga UCL’s Queen Square Institute of Neurology, e quajti këtë “hap të hershëm drejt zhvillimit të një testi me vlerë klinike”.

Ai ka shtuar se hapi i ardhshëm duhet të jetë vlerësimi i aftësisë së testit për të parashikuar se si ndryshon gjendja e një pacienti me kalimin e kohës dhe si mund të ndihmojë në vendimet për trajtim.
Edhe doktoresha Julia Dudley nga organizata Alzheimer’s Research UK e mirëpriti këtë zhvillim.

“Është inkurajuese të shohim studime që eksplorojnë mënyra të reja për të zbuluar më herët problemet e kujtesës. Trajtimet e reja për Alzheimer po tregojnë se janë më efektive kur jepen në fazat e hershme të sëmundjes, prandaj diagnoza e hershme është thelbësore që njerëzit të përfitojnë”, ka thënë ajo.

Doudley ka shtuar se nevojiten studime më afatgjata dhe me grupe më të mëdha e më të ndryshme.

“Problemet e kujtesës mund të lidhen edhe me gjendje të tjera shëndetësore, jo vetëm me demencën. Kërkimet e ardhshme duhet të shqyrtojnë se si faktorë të tjerë mund të ndikojnë në rezultatet e testit të valëve të trurit dhe si mund të përdoren këto teste krahas mjeteve të tjera të diagnozës, si vlerësimet e aftësive njohëse dhe analizat e gjakut”, ka thënë doktoresha.