Sipas një studimit të ri, që bëri American Cancer Society, afro 40 për qind të rasteve të reja me kancer te personat 30 vjeç e më lartë dhe gati gjysma e vdekjeve nga kjo sëmundje mund të iu atribuohen faktorëve rrezikues, të cilët janë të parandalueshëm.
“Këto janë gjërat që njerëzit praktikisht do të mund t’i ndryshonin çdo ditë përmes mënyrës së jetesës në mënyrë që të ulin rrezikun nga kanceri”, ka thënë doktori Arif Kamal, shef i American Society, shkruan CNN.
Studimi gjeti se konsumimi i duhanit, deri më tani, është shkaktari kryesor, duke kontribuar në 1 në 5 raste me kancer dhe gati një të tretën e vdekjeve nga kjo sëmundje. Të tjerë faktorë janë pesha trupore, konsumimi i alkoolit, aktivitetet fizike, ushqyerja dhe infeksionet, si për shembull virusi papilloma. (Virus seksualisht i transmetueshëm që është përgjegjës për pothuajse të gjitha rastet e kancerit të qafës së mitrës).
Në përgjithësi, studiuesit analizuan 18 rreziqe të modifikueshme në 30 lloje të kancerit. Në vitin 2019, këta faktorë të stilit të të jetuarit kishin lidhje me më shumë se 700 mijë raste të reja me kancer dhe me më shumë se 262 mijë vdekje.
“Kanceri rritet për shkak të dëmtimit të ADN-së përmes stilit të jetesës, i cili është si lloj ‘karburanti’ për të”, ka thënë Kamal.
Të tjerë faktorë si ata ambientalë e gjenetikë, gjithashtu mund të krijojnë këto kushte biologjike, por rreziqet e modifikueshme, shpjegojnë vdekjen dhe rastet e reja më mirë se sa çdo faktor tjetër.
Ekspozimi ndaj rrezeve të diellit, pa mbrojtës, mund të dëmtojë ADN-në dhe të çojë në kancer të lëkurës, ndërkohë që qelizat dhjamore prodhojnë hormone të cilat ushqejnë kancerin.
“Shpesh herë mund të duket sikur s’ka kontroll mbi kancerin. Njerëzit mendojnë se kanë fat të keq e gjenetikë të keqe, por njerëzit duhet të ndjejnë kontroll e të jenë vendimmarrës”, ka shtuat Kamal.
Studimi sugjeron se disa lloje të caktuara të kancerit janë më të parandalueshëm se sa disa të tjera. Por rreziqet e modifikueshme kontribuojnë në më shumë se gjysmën e rasteve të reja për 19 deri në 30 lloje të kancerit.
Pas duhanit, në studim u gjet se, kontribuuesi më i madh i kancerit është pesha e tepërt trupore, e cila kishte lidhshmëri në 5% të rasteve të reja te burrat dhe gati 11% te gratë. Pesha e tepërt kishte lidhje me më shumë se një të tretën e vdekjeve nga kanceri i endometriumit, fshikëzës së tëmthit, ezofagut, mëlçisë dhe veshkave.
Një tjetër studim që u bë së fundmi ka gjetur se rreziku nga disa lloje të kancerit është ulur kur njerëzit merrnin ilaçe të diabetit si Wegovy e Ozempic, për të ulur peshën e tepërt.
“Obeziteti, apo pesha e tepërt, po bëhet rrezik gati po aq i madh sa është duhani”, ka thënë doktori Mercus Plescia, shef i Association of State and Territorial Health Officials, i cili nuk ishte i përfshirë në studim, por ka përvojë paraprake në hulumtimet për parandalim të kancerit.
Ai ka thënë se ndryshimi i sjelljeve të përditshme, që janë shkaktar kyç, si ndërprerja e duhanit, ngrënia e ushqimit të shëndetshëm, ushtrimet fizike, mund të bëjnë ndryshim të madh në shifrat aktuale të sëmundjeve, përfshirë kancerin.
Plescia ka shtuar se autoritet duhet të ndihmojnë në krijimin e kushteve e ambienteve në mënyrë që njerëzit ta kanë më të lehtë të kenë qasje në zgjedhje më të shëndetshme të stilit të jetesës.
“Është posaçërisht e rëndësishme që njerëzit të mos jetojnë nëpër lagje ku historikisht dihet se nuk janë ambient i mirë për të bërë aktivitete fizike e që nuk kanë qasje nëpër dyqane ku shitet ushqimi i shëndetshëm”, ka thënë ani.
Ekspertët deklaruan se, ndërkohë që rastet me kancer në SHBA janë gjithnjë në rritje, është veçanërisht me rëndësi të krijohen shprehi të shëndetshme të të jetuarit sa më herët në jetë.
“Është më e vështirë të lihet duhani ndërkohë që je duke u munduar të humbësh peshën e tepërt që ke fituar. Por nuk është kurrë vonë që të vendosësh t’i bësh këto ndryshime”, ka thënë tutje Plescia.
Ndërkohë, sipas ekspertëve, ndryshimet e stilit të të jetuarit mund t’i minimizojnë faktorët rrezikues relativisht shpejtë.
“Kanceri është diçka që trupi e lufton çdo ditë ndërkohë që bëhet ndarja e qelizave trupore. Është rrezik me të cilin përballesh çdo ditë, gjë që do të thotë se reduktimi i faktorëve rrezikues mund të të bëjë mirë çdo ditë”, ka thënë Kamal.