Lifestyle

Shtatë milionë raste të kancereve në vit janë të parandalueshme, sipas një raporti

Fotografi ilustruese

Foto: Associated Press

Shtatë milionë raste të kancerit mund të parandalohen çdo vit, sipas një analize të gjerë.

Një raport i Organizatës Botërore të Shëndetësisë ka vlerësuar se 37% e kancereve shkaktohen nga infeksionet, zgjedhjet e stilit të jetës dhe ndotësit mjedisorë që mund të shmangeshin, raportoi BBC. 

Këtu përfshihen kanceret e qafës së mitrës të shkaktuara nga infeksionet e virusit të papilomës (HPV), ndaj të cilave vaksinat mund të ndihmojnë në parandalim, si dhe një mori tumoresh të shkaktuara nga duhani.

Shkencëtarët kanë thënë se raporti i tyre ka treguar se ka “një mundësi të fuqishme” për të transformuar jetët e miliona njerëzve.

Disa lloje kanceresh janë të pashmangshme – ose për shkak të dëmtimit të pashmangshëm në ADN ndërsa plakemi, ose sepse trashëgojmë gjene që na vënë në rrezik më të madh për t’u prekur nga kjo sëmundje.

Studiuesja Isabelle Soerjomataram ka thënë se “njerëzit janë të befasuar” që gati 4 në 10 kancere mund të parandalohen.

Agjencia Ndërkombëtare për Kërkim mbi Kancerin, pjesë e OBSH-së, ka analizuar 30 faktorë të parandalueshëm që dihet se rrisin rrezikun e kancerit.

Këta faktorë përfshijnë pirjen e duhanit dhe rrezatimit ultravjollcë të cilët mund të dëmtojnë direkt ADN-në, mbipesha dhe aktiviteti shumë i pakët fizik të cilët ndikojnë inflamacionin dhe hormonet në trup duke rritur rrezikun për kancer, dhe ndotja e ajrit e cila mund t’i zgjojë qelizat kancerogjene të fjetura.

Ekipi i studiuesve përdorën të dhëna të rasteve të kancerit nga viti 2022 dhe nga 30 faktorë rreziku prej një dekade më parë.

Tre kontribuuesit më të mëdhenj për mbi 18 milionë raste të kancerit në botë u gjetën se ishin:

Pirja e duhanit që shkaktoi 3.3 milionë raste të kancerit

Infeksionet që shkaktuar 2.3 milionë raste të kancerit

Alkooli që çoi në 700,000 raste

Po ashtu ekziston një ndarje gjinore, me 45% të kancereve të burrat që mund të parandalohen krahasuar me 30% te gratë.

Te gratë që jetojnë në Evropë, tri faktorët parandalues për kancer janë duhani, pasuar nga infeksioni dhe më pas obeziteti.

Raporti tregoi se kanceri i mushkërive (i lidhur me pirjen e duhanit dhe ndotjen e ajrit), kanceri i stomakut (i lidhur me infeksionin H.pylori) dhe kanceri i qafës së mitrës (i lidhur me infeksionin HPV) përbënin pothuajse gjysmën e të gjitha rasteve të parandalueshme të kancerit.