Lifestyle

Dylli i veshit mund ta parashikojë sëmundjen e Parkinsonit

Parkinson

Studiuesit nga “American Chemical Society” po pretendojnë se kanë zhvilluar një sistem të ri që mund të ndihmojë në zbulimin e hershëm të sëmundjes neurologjike, Parkinson.

Ky zbulim lidhet me erën e veçantë të sebumit, përbërës kryesor i dyllit të veshit. 

Sebumi është substancë yndyrore që trupi e prodhon për të mbrojtur dhe lubrifikuar lëkurën. 
Studiuesit kanë deklaruar se te personat me Parkinson, sebumi mund të marrë një erë karakteristike dhe paksa të rëndë, pasi sëmundja ndikon në mënyrën se si trupi prodhon komponimet organike që lëshohen përmes sebumit, ka raportuar The Independent.

Çdo vit, rreth 90,000 persona diagnostikohen me Parkinson në Shtetet e Bashkuara, dhe numri i vdekjeve të shkaktuara nga kjo sëmundje është rritur dukshëm në dekadat e fundit.

Lidhja në mes të erës së sebumit dhe sëmundjes së Parkinsonit është vërejtur edhe në studime të mëparshme, por tani ekspertët kanë arritur të identifikojnë disa komponime specifike që mund të shërbejnë si shenja biologjike të Parkinsonit.

Për studimin, shkencëtarët morën mostra nga kanalet e veshëve të 209 pjesëmarrësve, ku më shumë se gjysma ishin të diagnostikuar me Parkinson. 

Më pas, mostrat u analizuan me teknika të avancuara të:

-Kromatografisë së gazit (analizë që tregon se cilët përbërës janë të pranishëm në një mostër dhe ndihmon të kuptohet saktësisht se çfarë substancash përmban dylli i veshit), si dhe

-Spektrometrisë së masës (analizë që ndihmon të identifikohen me saktësi se cilat janë përbërësit kimikë që gjenden në mostër dhe në çfarë sasie janë).

Studiuesit kanë zbuluar se te personat me Parkinson, katër komponime organike ishin të ndryshme krahasuar me ata që nuk kishin sëmundjen. Këtu përfshihen komponimet e quajtura Ethylbenzene, 4-ethyltoluene, Pentanal, 2-pentadecyl-1 dhe 3-dioxolane.

Sipas studiuesve, këto komponime mund të shërbejnë si shenja të mundshme për diagnostikimin e Parkinsonit.

Bazuar në këto të dhëna, të publikuara në revistën Analytical Chemistry, ata krijuan një sistem që mund të përdoret si metodë e lirë dhe praktike për zbulimin e hershëm të Parkinsonit.

Për këtë qëllim, studiuesit kanë ndërtuar një sistem të inteligjencës artificiale (AI) që simulon nuhatjen njerëzore, një model robotik që mund të “ndiej” aromën duke përdorur të dhënat nga dylli i veshit.

Sistemi ishte në gjendje të dallonte me 94 për qind saktësi mostrat e njerëzve me Parkinson nga ata pa sëmundjen.

Aktualisht, rreth 1.1 milionë amerikanë jetojnë me Parkinson. 

Ekspertët kanë bërë të ditur se zbulimi i hershëm është shumë i rëndësishëm, sepse shumica e trajtimeve ekzistuese vetëm e ngadalësojnë përparimin e sëmundjes, por nuk e shërojnë.

Sipas tyre, metodat aktuale të diagnostikimit janë të kushtueshme dhe ndonjëherë të paqarta.

Studiuesit kanë deklaruar se ky sistem me inteligjencë artificiale mund të përdoret si mjet i shpejtë dhe i parë për të zbuluar sëmundjen në fazat e hershme.

“Kjo metodë është ende në fazë fillestare dhe është testuar vetëm në një qendër të vetme kërkimore në Kinë. Hapi i radhës është të zhvillojmë studime të tjera në faza të ndryshme të sëmundjes, në qendra të ndryshme dhe te grupe të ndryshme etnike, për të vlerësuar nëse kjo metodë mund të ketë vlerë praktike më të gjerë”, ka shpjeguar autori i studimit Hao Dong.