Një studim i ri sugjeron se analizimi i mikrobeve në zorrë mund të tregojë nëse një person ka rrezik të lartë për të zhvilluar sëmundjen e Parkinsonit shumë vite përpara se të shfaqen simptomat.
Shkencëtarët nga University College London zbuluan se personat me këtë sëmundje kanë një përbërje të veçantë të mikrobeve në zorrë, triliona baktere dhe organizma të tjerë që jetojnë në sistemin tretës, ka shkruar The Times.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoStudimi ka treguar gjithashtu se njerëzit që ushqehen në mënyrë më të balancuar dhe të larmishme kanë më pak gjasa të kenë mikrobiomë të zorrëve me rrezik të lartë.
Kjo sugjeron se dieta mund të luajë rol në parandalimin e kësaj sëmundjeje degjenerative.
Sëmundja e Parkinsonit është çrregullim neurologjik që ndodh kur qelizat nervore në tru, të cilat prodhojnë dopaminë (një kimikat i rëndësishëm për kontrollin e lëvizjes), fillojnë të shkatërrohen.
Si pasojë, pacientët përjetojnë simptoma si dridhje, ngurtësi, lëvizje të ngadalta dhe probleme me ekuilibrin.
Shpesh shfaqen edhe depresioni, probleme me gjumin dhe kapsllëku.
Vetëm në Britani, rreth 153 mijë persona jetojnë me këtë sëmundje dhe pritet që numri të rritet me plakjen e popullsisë.
Udhëheqësi i studimit, Anthony Schapira nga Instituti i Neurologjisë në UCL, ka theksuar rëndësinë e zbulimit të hershëm.
“Për të zhvilluar trajtime efektive për Parkinsonin, është e nevojshme të krijojmë mënyra për zbulim shumë të hershëm. Këtu ne kemi forcuar provat dhe kemi treguar se mikrobet në zorrë mund të zbulojnë shenja të Parkinsonit dhe mund të shërbejnë si një sinjal paralajmërues vite përpara shfaqjes së simptomave”, ka thënë ai.
Studimi ka përfshirë 271 persona me Parkinson, 43 persona që mbartnin një variant gjenetik të quajtur GBA1 (që mund të rrisë rrezikun deri në 30 herë), por që nuk kishin ende simptoma, si dhe 150 persona të shëndetshëm.
Rezultatet treguan se më shumë se një e katërta e mikrobiomës së zorrëve, konkretisht 176 lloje mikrobesh, ishin të ndryshme mes pacientëve me Parkinson dhe personave të shëndetshëm. Disa mikrobe ishin më të shumta te pacientët, ndërsa të tjera më të pakta.
Interesante është se shumica e këtyre ndryshimeve u panë edhe tek personat me rrezik gjenetik, por pa simptoma. Mikrobet e tyre formonin një model “ndërmjetës”, mes atyre të shëndetshëm dhe atyre me sëmundje.
“Për herë të parë kemi identifikuar baktere në zorrët e njerëzve me Parkinson që gjenden edhe tek ata me rrezik gjenetik, por përpara se të zhvillojnë simptoma. Këto ndryshime mund të shihen edhe te një pjesë e vogël e popullsisë së përgjithshme, duke treguar rrezik të shtuar”, ka theksuar Schapira.
Ai ka shtuar se ky zbulim hap rrugë për hapa të rinj.
“Ky zbulim hap mundësinë jo vetëm për të identifikuar personat në rrezik, por edhe për të parë nëse ndryshimi i baktereve, përmes dietës apo ilaçeve, mund të ulë rrezikun”, ka thënë ai.
Megjithatë, studiuesit paralajmërojnë se nevojiten studime afatgjata për të konfirmuar nëse këto ndryshime mund të parashikojnë me siguri se kush do ta zhvillojë sëmundjen.
Një tjetër gjetje e rëndësishme ishte se personat me mikrobiomë “të rrezikshme” konsumonin më shumë ushqime të përpunuara dhe yndyra të ngopura, ndërsa më pak fruta, perime dhe peshk.
“Gjetjet tregojnë se ndryshimet në mikrobiomë mund të ndodhin në fazat shumë të hershme të sëmundjes dhe se niveli i këtyre ndryshimeve mund të lidhet me përparimin e saj. Në dekadën e fundit kemi parë ndikimin e aktivitetit fizik në menaxhimin e simptomave dhe ndoshta në ngadalësimin e sëmundjes. Tani, kuptimi ynë në rritje për mikrobiomën e zorrëve jep shpresë se ndryshimet në dietë mund të sjellin përfitime për personat që jetojnë me Parkinson”, ka thënë studiuesja Claire Bale nga Parkinson’s UK.