Humbja e dëgjimit nuk lidhet vetëm me moshën apo zhurmat e forta. Disa zakone të përditshme, probleme shëndetësore dhe madje edhe përdorimi i disa ilaçeve mund të ndikojnë në aftësinë për të dëgjuar, ka shkruar The New York Post.
Sipas Nick Andresen, mjek i veshëve në Qendrën Mjekësore Wexner të Universitetit Shtetëror të Ohajos, dëgjimi mund të ndikohet nga shumë faktorë.
“Humbja e dëgjimit nuk shkaktohet gjithmonë nga plakja ose ekspozimi i dukshëm ndaj zhurmave. Zhurmat janë një nga shkaqet më të njohura, por janë vetëm një pjesë e problemit”, ka thënë ai.
Ja katër faktorë që mund të mos i lidhni menjëherë me dëmtimin e dëgjimit, por që mund ta dëmtojnë atë:
1. Duhanpirja
Pirja e duhanit mund të rrisë rrezikun e humbjes së dëgjimit, ndërsa ekspozimi më i madh ndaj cigareve lidhet edhe me dëmtime më të rënda.
Ekspertët mendojnë se kjo mund të ndodhë për shkak të furnizimit më të dobët me oksigjen të veshit të brendshëm dhe dëmtimit nga substancat toksike të tymit të duhanit.
Lënia e duhanit mund ta ulë këtë rrezik dhe, në disa raste, mund të ndihmojë në përmirësimin e dëmit të shkaktuar.
2. Tensioni i lartë i gjakut
Edhe hipertensioni mund të ndikojë në dëgjim. Tensioni i lartë mund të dëmtojë enët e vogla të gjakut dhe qelizat e ndjeshme të veshit të brendshëm, të cilat shndërrojnë tingujt në sinjale nervore.
Qarkullimi i dobët i gjakut mund të ndikojë te pjesa e veshit të brendshëm përgjegjëse për dëgjimin, duke shkaktuar probleme gradualisht ose, në disa raste, humbje të papritur të dëgjimit.
3. Disa ilaçe kundër dhimbjeve
Ilaçet anti-inflamatore jo-steroide (NSAID), si aspirina dhe ibuprofeni, përdoren shumë shpesh për dhimbje dhe temperaturë.
Sipas Andresen, përdorimi i tyre rregullisht për shumë vite ose në doza më të larta se ato të rekomanduara mund të ndikojë në dëgjim.
“Dozat e larta mund të dëmtojnë neuronet që përcjellin sinjalet e zërit nga veshi drejt trurit”, ka thënë ai.
Megjithatë, përdorimi i këtyre ilaçeve në dozat e rekomanduara konsiderohet i sigurt. Një mbidozë e aspirinës mund të shkaktojë përkohësisht edhe zhurmë në veshë ose humbje dëgjimi, efekte që zakonisht largohen pasi ilaçi eliminohet nga organizmi.
4. Probleme të tjera shëndetësore
Gjendja e përgjithshme e shëndetit mund të ndikojë drejtpërdrejt në dëgjim. Diabeti, problemet kardiovaskulare, infeksionet dhe dëmtimet e kokës mund të dëmtojnë enët e gjakut dhe qelizat nervore të ndjeshme të veshit.
Eksperti paralajmëron gjithashtu për efektin që mund të ketë ekspozimi i përsëritur ndaj zhurmave të forta. Kufjet, veglat elektrike, makinat e barit, koncertet dhe makineritë e zhurmshme mund të ndikojnë në dëgjim me kalimin e kohës.
“Është mirë të kufizoni sa më shumë ekspozimin ndaj zhurmave të forta dhe, kur kjo nuk është e mundur, të përdorni mbrojtëse për veshët në ambiente të zhurmshme”, ka thënë Anderson.