Mikrobioma vaginale, ekosistemi i brendshëm i vaginës, përbëhet nga mijëra lloje bakteresh, kërpudhash dhe virusesh që jetojnë së bashku. Ani pse është studiuar më pak se mikrobioma e zorrëve, një mikrobiomë e shëndetshme vaginale mund të mbrojë shëndetin e përgjithshëm të grave, ka shkruar BBC.
Kur bakteret e mira të quajtura Lactobacillus janë të bollshme, rreziku për infertilitet, abort spontan, lindje të parakohshme dhe madje edhe kancer të qafës së mitrës ulet ndjeshëm. Këto baktere krijojnë mjedis të shëndetshëm duke prodhuar acid laktik dhe duke mos lejuar që mikrobet e dëmshme të shtohen.
“Ato i largojnë patogjenët duke u bërë konkurrencë për ushqim dhe hapësirë”, ka thënë Chrysi Sergaki, drejtoreshë e mikrobiomës në Agjencinë Rregullatore të Barnave në MB.
Ajo shton se aciditeti i krijuar nga Lactobacillus “e bën mjedisin armiqësor për mikrobet e dëmshme, kështu që ato nuk guxojnë të afrohen”.
Kur ekosistemi prishet ka rrezik për infeksione, rrezik për IST( infeksionet e transmetuara përmes marrëdhënieve seksuale) dhe probleme në shtatzëni
Nëse Lactobacillus pakësohet, gjendje e quajtur disbiozë vaginale, rritet rreziku për infeksione si bakterial vaginoza (BV), infeksionet e kërpudhave dhe infeksionet urinare.
Gratë seksualisht aktive me disbiozë janë gjithashtu më të rrezikuara nga sëmundjet seksualisht të transmetueshme. Studimet tregojnë se gratë me nivele më të ulëta të Lactobacillus janë më të rrezikuara nga HIV.
“Në Cape Town, ku niveli i HIV-it është i përhapur, disa punonjëse seksi thjesht duket se ‘kanë fat’ dhe nuk infektohen. Por gjasat për t’u infektuar lidhen me atë që po ndodh në mikrobiomën vaginale”, ka thënë Laura Goodfellow nga Universiteti i Liverpoolit.
Nivelet e ulëta të Lactobacillus rrisin rrezikun edhe për infeksion me HPV (Human Papilloma Virus), që shkakton shumicën e kancereve të qafës së mitrës.
Goodfellow e përshkruan mikrobiomën “pak si një pyll”.
“Nëse hedh fara në një pyll të shëndetshëm, ato nuk rriten dot, sepse aty ka tashmë një ekosistem të fortë. Por kur mikrobioma është e dobët, bakteret dhe viruset e këqija rriten më lehtë”, ka thënë ajo.
Mikrobioma dhe shtatzënia
Bakteret në vaginë ndikojnë edhe në konceptim dhe në rrjedhën e shtatzënisë. Gratë me më pak Lactobacillus kanë më shumë gjasa të përjetojnë:
-abort spontan
-shtatzëni ektopike
-lindje të parakohshme
“Nuk është arsyeja e vetme, por e rrit pak rrezikun”, ka shpjeguar Goodfellow.
Studimet tregojnë se inflamacioni i shkaktuar nga disbioza mund të jetë arsyeja pse ndodhin këto komplikime.
“Gratë që kanë Lactobacillus kanë më pak proteina inflamatore në vaginë”, ka thënë Goodfellow.
Mundësia e trajtimeve të reja
Shkencëtarët po punojnë për trajtime të reja. Në Imperial College London po testohet një probiotik të quajtur Lactin-V, që përmban bakterin Lactobacillus crispatus. Studimet tregojnë se dominimi i këtij bakteri ul rrezikun e lindjes së parakohshme.
Po ashtu, kërkuesit po punojnë që të zhvillojnë teste të reja që mund të identifikojnë shpejt “shenjat bakteriale” të rrezikut për abort, infertilitet, lindje të parakohshme apo kancer.
“Jam veçanërisht e interesuar se si ta sjellim këtë shkencë të avancuar më afër pacienteve, më shpejt dhe më sigurt”, ka thënë Sergaki.
Si të kujdesemi për mikrobiomën vaginale
Disa praktika e dëmtojnë mikrobiomën, të tjera e mbrojnë.
Disa gjëra që nuk duhet bërë:
-Douching (shpëlarja e vaginës me ujë ose produkte të tjera): rrit rrezikun për BV, lindje të parakohshme dhe sëmundje inflamatore të pelvisit.
-Përdorimi i xheleve, spërkatësve dhe larësve intimë: dëmtojnë ekosistemin e brishtë të vaginës.
Gjërat që duhet bërë:
Përdorimi i prezervativëve. Studimet tregojnë se përdorimi i prezervativëve rrit praninë e Lactobacillus, sepse sperma mund ta ndryshojë ekuilibrin bakterial.
-Dietë e shëndetshme. Mungesa e vitaminave A, C, D, E, acidit folik dhe kalciumit rrit rrezikun për BV. Ushqimet shumë të yndyrshme gjithashtu.
-Mbajtja e një peshe të shëndetshme. Disa studime tregojnë se gratë obeze kanë më pak Lactobacillus.
-Moskonsumimi i duhanit. Në një studim, gjysma e grave që pinin duhan kishin mikrobiomë të varfëruar nga Lactobacillus, krahasuar me vetëm 15 për qind të atyre që nuk konsumonin duhan. Pirja e duhanit lidhet edhe me rrezik më të lartë për BV dhe lindje të parakohshme.
“Hani shumë perime me gjethe të gjelbra, flini mjaftueshëm, pini ujë. Të gjitha gjërat që përmirësojnë shëndetin në përgjithësi, ka gjasa ta përmirësojnë edhe mikrobiomën vaginale”, ka thënë Goodfellow.