Lifestyle

Bakteret e para me të cilat bebet e porsalindura kanë kontakt mund t’i mbrojnë nga infeksionet

Bebet

Bebet e posalindura

Bakteret e para me të cilat përballet trupi i bebes vetëm pak orë pas lindjes, mund të mbrojnë nga infeksione të rënda në mushkëri, sipas një studimi të ri nga shkencëtarët britanikë, ka raportuar BBC.

Për herë të parë, studiuesit kanë treguar se disa baktere “të mira” mund të përgjysmojnë rrezikun që fëmijët e vegjël të përfundojnë në spital për shkak të infeksioneve në mushkëri.

Ky zbulim është cilësuar si “fenomenal” nga studiuesit dhe mund të çojë në zhvillimin e trajtimeve të reja që forcojnë mikrobiomën e shëndetshme tek bebet.

“Mendoj se është diçka vërtet fenomenale. Është e pabesueshme që mundëm ta vërtetonim këtë. Jam i entuziazmuar”, ka thënë për BBC-në, profesori Nigel Field nga University College London.

Si ndikojnë bakteret tek sistemi imunitar?

Bebet lindin të pastra pa mikrobe në trup, por kjo ndryshon shumë shpejt. Brenda pak orësh, çdo pjesë e trupit fillon të popullohet me jetë mikroskopike, baktere, kërpudha dhe më shumë mikrobe e mikroorganizma të tjera, që krijojnë atë që njihet si mikrobioma, një botë e tërë e padukshme por vendimtare për shëndetin e njeriut.

Shkencëtarët nga University College London dhe Instituti Sanger kanë analizuar mostrat e jashtëqitjes së 1,082 bebeve në javën e parë të jetës. Ata kanë kryer një analizë të thellë gjenetike për të identifikuar llojet e baktereve të pranishme dhe më pas kanë ndjekur këta fëmijë për dy vjet përmes të dhënave spitalore.

Cili ishte bakter “i mirë”?

Një bakter i veçantë, që quhet Bifidobacterium longum, doli të kishte efekt mbrojtës.

Vetëm 4% e bebeve që e kishin këtë bakter u shtruan në spital për infeksione të mushkërive gjatë dy vjetëve të para të jetës. Ndërsa fëmijët që kishin lloje të tjera bakteresh kishin 2 deri në 3 herë më shumë gjasa të përfundonin në spital.

Kjo është hera e parë që tregohet se formimi i mikrobiomës ndikon në rrezikun për infeksione.

“Bifidobacterium longum fillon duke përpunuar qumështin e gjirit, i cili përmban lëndë ushqyese për foshnjën dhe njëkohësisht nxit rritjen e baktereve të mira”, ka shpjeguar Field.

Nuk dihet ende saktësisht si ndikon ky bakter në parandalimin e sëmundjes, por besohet se komunikon me sistemin imunitar dhe ndihmon në zhvillimin e tij, duke i mësuar trupit ta bëjë dallimin në mes mikrobeve “miq” dhe “armiq”.

A ndikon mënyra e lindjes?

Këto baktere mbrojtëse u gjetën vetëm tek bebet e lindura në mënyrë natyrale (vagjinale), dhe jo tek ato të lindura me operacion cezarian. Megjithatë, nuk i përfitonin të gjitha bebet që lindnin në mënyrë natyrale.

“Nuk mendoj se duhet të praktikohet ajo që quhet ‘vaginal seeding’, kur disa prindër marrin me tampon mikrobe nga vagjina dhe i vendosin tek foshnja. Nuk ka prova që kjo është e sigurt apo e dobishme”, ka thënë tutje Field.

Sipas studiuesve, bakteret “e mira” nuk vijnë nga vagjina, por nga fundi i sistemit tretës të nënës.

Çfarë pritet më tej?

Qëllimi afatgjatë është të krijohen trajtime probiotike, si kos me baktere të dobishme, që mund t’u jepen foshnjave për të ndihmuar në ndërtimin e një mikrobiome të shëndetshme që në fillim të jetës.

“Lindja me operacion cezarian është shpesh procedurë që shpëton jetë dhe mund të jetë zgjedhja e duhur për nënën dhe foshnjën”, ka thënë profesoresha Louise Kenny nga Universiteti i Liverpoolit.

Ajo ka shtuar se teksa përfitimi u pa vetëm tek foshnjat e lindura në mënyrë natyrale, ai nuk ishte universal, ndaj “duhet më shumë kërkim shkencor për të ndërtuar një pasqyrë më të plotë dhe të saktë”.