Lifestyle

Shtatzënia dhe sporti - kombinim sfidues për sportistet

Ish-ylli i tenisit, Serena Williams, fitoi një Grand Slam kur ishte rreth tetë javë shtatzënë. Notare, vrapuese dhe basketbolliste profesioniste kanë konkurruar të gjitha gjatë shtatzënisë: volejbollistja e plazhit Kerri Walsh Jennings madje fitoi medalje olimpike. Nënat “shpesh janë atletet më të mira, sepse mësojnë se si ta menaxhojnë më mirë kohën e tyre, ata i kuptojnë më mirë trupat e tyre”, ka thënë Ackerman. “Dhe ato mund të arrijnë majat edhe më vonë në jetë”

Futbollistja profesioniste, Jess McDonald, u këmbye në gjashtë ekipe në pesë vjetët e saj të parë si prind i vetëm, duke e bërë të vështirë gjetjen, e lëre më përballimin e kujdesit për fëmijët në qytete të reja. Ajo dhe djali i saj atëherë 8 muajsh, detyroheshin shpesh të ndanin një dhomë hoteli me një shoqe skuadre – dhe ndonjëherë ajo nuk kishte zgjidhje tjetër veçse ta sillte me vete në stërvitje.

“Nëse do të kisha një lojë të keqe, fëmija im do të fajësohej për të ndonjëherë, me pyetje të tilla si: “Oh, a ishte fëmija juaj zgjuar natën vonë?”- ka treguar lojtarja e Kombëtares së Grave të SHBA-së në një intervistë e fundit.

Trajnerja e basketbollit e shtetit të Arizonës, Charli Turner Thorne, pati tre fëmijë pa marrë leje lehonie. Dhe trajnerja kryesore e New York Liberty dhe ish-lojtarja e WNBA-së, Sandy Brondello – duke pranuar vështirësitë me të cilat do të përballej nëse mbetej shtatzënë – priti t’i lindte fëmijët derisa do të tërhiqej si lojtare në moshën 38-vjeçare.

Image

Mungesa e mbështetjes

Përzierja e kërkesave të prindërimit me ato të një karriere sportive profesionale është vetëm një nga sfidat e panumërta me të cilat përballen atletet femra në një industri që gjithashtu ka qenë e mbushur me pabarazi në paga dhe ngacmime në 27 vjetët që nga formimi i WNBA-së, liga e parë e sporteve profesionale për femra.

Çështja tërhoqi edhe një herë vëmendjen kombëtare pak para fillimit të sezonit, kur lojtarja e WNBA-së, Dearica Hamby, ka treguar se ishte ngacmuar nga trajneri i saj për shkak se mbeti shtatzënë gjatë sezonit.

Trajnerja e Las Vegas Aces, Becky Hammon, një nga figurat më të njohura të ligës dhe gjashtë herë WNBA All-Star, mohoi të kishte ngacmuar Hamby; ajo tha se lojtarja nuk u këmbye me Los Angeles Sparks sepse ishte shtatzënë. Këmbimi, ka thënë ajo, kishte “çdo gjë të bënte me paratë për të nënshkruar agjentë të lirë”.

Megjithatë, Hammon ka theksuar se mund të ketë bërë një “gabim” duke e pyetur Hambyn në një moment për shtatzëninë e saj dhe ajo tregoi se rregullat në WNBA “në lidhje me lojtaret shtatzëna dhe se si duket kjo brenda një organizate” duhet të përcaktohen më mirë, duke veçuar aktin balancues të të pasurit familje dhe të mbajtjes së një karriere sportive profesionale.

Gratë nuk janë ndaluar kurrë zyrtarisht nga WNBA-ja për të mbetur shtatzënë; në fakt, lojtarja e parë që nënshkroi me ligën në vitin 1997, Sheryl Swoopes, priste kur e bëri këtë. Por atletet shtatzëna kanë hasur në qëndrime që variojnë nga ambivalente në armiqësi të plotë nga ligat, trajnerët, lojtarët e tjerë dhe sponsorët gjatë gjithë viteve.

Edhe nënë, edhe sportiste e suksesshme

Në vitin 2019, vrapueset olimpike, Allyson Felix, dhe Kara Goucher folën kundër Nike për uljen e pagës së tyre dhe më pas largimin e tyre për shkak të shtatzënisë. Dhe u deshën vite që ligat profesionale të grave t'u ofrojnë atleteve të tyre sistemet mbështetëse që u nevojiten për të balancuar detyrimet e tyre familjare dhe karriere.

“Kam lëvizur me hapa të kujdesshëm si nënë në këtë ligë që nga dita e parë”, ka theksuar McDonald, e cila javën e kaluar njoftoi për shtatzëninë e saj të dytë.

McDonald ka thënë se në vitin 2012, ajo ishte trajnuar deri në dy javë para lindjes; Vetëm vitin e kaluar lojtarëve në ligë u garantohej pushimi i lehonisë me pagesë. Thorne nga shteti i Arizonës i tha AP-së se një herë u kthye në punë vetëm dy ditë pas lindjes.

“Ne jemi vite dritë përpara vendit ku ishim, e dini, 20-disa vjet më parë për sa i përket kuptimit të njerëzve se duhet të mbështesin të drejtat e grave,”, ka thënë Thorne. Megjithatë, “ka presion mbi ju si atlete, si trajnere, si ai person, ajo grua ose duke krijuar familjen e saj ose duke pasur fëmijë, për t’u rikthyer në punën e tyre” menjëherë pas lindjes.

Sipas marrëveshjes më të fundit të negociatave kolektive të WNBA-së, e cila u ratifikua në vitin 2020, anëtaret e ligës marrin pagën e tyre të plotë gjatë pushimit të lehonisë, megjithëse çdo lojtare duhet të negociojë individualisht kohëzgjatjen e pushimit të saj. Gjatë sezonit, lojtaret me fëmijë nën 13 vjeç mund të marrin deri në 5.000 dollarë në vit për kujdesin ndaj fëmijëve dhe një apartament me dy dhoma gjumi me pagesë.

Një numër i vogël atletesh elitë, veterane që kanë luajtur tetë ose më shumë sezone mund të rimbursohen deri në 20 mijë dollarë në vit për kostot që lidhen drejtpërdrejt me birësimin, zëvendësimin, ngrirjen e vezëve ose trajtime të tjera të fertilitetit. Për lojtare, shuma është e kufizuar në një total prej 60 mijë dollarë. Krahasuar me industritë e tjera, kjo është një ofertë progresive që përfshin atletet LGBTQ+.

Dilema e madhe

“Kemi bërë shumë hapa dhe shumëçka tjetër”, ka thënë Thorne, por shtoi se ligat kanë ende një rrugë të gjatë për të bërë për të mbështetur atletet që bëhen nëna.

Duke u përballur me këto sfida, shumë gra në sport, si Brondello, vendosin të kenë fëmijë pasi të dalin në pension - ose të heqin dorë nga prindërimi.

“Atletet femra nuk duhet të heqin dorë nga amësia sepse duan të jenë atlete”, ka theksuar Dr. Kathryn Ackerman është mjeke e mjekësisë sportive me qendër në Boston dhe bashkëkryetare e grupit të punës për shëndetin e grave të Komitetit Olimpik dhe Paralimpik të SHBA-së.

Ackerman ka thënë se ekziston frika se kur atletet femra bëhen prindër, mund të mos vlerësohen më shumë si atlete. Kjo është diçka e gabuar.

Librat e rekordeve janë të mbushura me shembuj të atleteve femra që prindërojnë dhe vazhduan të performojnë në nivelin më të lartë.

Ish-ylli i tenisit, Serena Williams, fitoi një Grand Slam kur ishte rreth tetë javë shtatzënë. Notare, vrapuese dhe basketbolliste profesioniste kanë konkurruar të gjitha gjatë shtatzënisë: volejbollistja e plazhit Kerri Walsh Jennings madje fitoi medalje olimpike.

Nënat “shpesh janë atletet më të mira sepse mësojnë se si ta menaxhojnë më mirë kohën e tyre, ata i kuptojnë më mirë trupat e tyre”, ka thënë Ackerman. “Dhe ato mund të arrijnë majat edhe më vonë në jetë”.

Përktheu: Blerta Haxhiu