Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Pasi u bë nënë, Osaka bëhet gati për rikthim në “Australian Open”

Gjërat më të vogla po tërheqin vëmendjen e Naomi Osakas në kohën kur ajo po përgatitet për rikthimin në turnetë Grand Slam të tenisit. Ajo po fokusohet të shijoi momentin, të jetë më e durueshme. Mbi të gjitha, më e vetëdijshme se kush mund ta shikojë duke luajtur për herë të parë që nga viti 2022 dhe çfarë lloj përshtypjeje do të lërë.

Grand Slami i tenisit, “Australian Open”, që zgjatë 15 ditë dhe nis në dielën në mëngjes, është përfolur si turneu i rikthimit të saj. Dhe Osaka ka profilin më të lartë në mesin e tri ish-kampioneve të “Australian Open”, që kthehen në “Melbourne Park” për herë të parë si nëna.

Vëmendja e kthimit të kësaj treshe – Osaka, Angelique Kerber dhe Caroline Wozniacki – u rrit me një lajm tjetër. Rafael Nadal tentoi rikthimin pas një viti shkaku i lëndimit, por rikthimi i zgjati vetëm tri meçe. Për shkak të një tërheqjeje muskulare Nadal është detyruar të kthehet në shtëpi, duke u tërhequr nga pjesëmarrja në “Australian Open”.

Osaka javën e shkuar garoi për herë të parë pas më shumë se një viti. Ajo u bë nënë në korrik të vitit 2022, kur lindi vajzën që e pagëzoi me emrin Shai. Fituesja e katër Grand Slameve (dy Australian Open dhe dy US Open), mori pjesë në turneun e Brisbanet për t’u familjarizuar me kundërshtaret dhe publikun.

“Një pjesë e imja kishte ndjenjën se Shai po më shikonte. Doja të bëja më të mirën për të. Gjithashtu, kur po jepja autografe kisha kujdes më të madh për fëmijët. Tani i shoh fëmijët ndryshe sepse jam nënë. Kështu që jam kthyer për të luajtur, për të qenë shembull i vajzës time”, tha Osaka.

26-vjeçarja Osaka e ka nënën nga Japonia, ndërsa babanë nga Haiti. Ajo ka lindur në Japoni, por është rritur në SHBA. Bazuar në sukseset në tenis, Osaka është njëra prej sportisteve më të pasura në botë. Në të kaluarën ajo kishte presion të madh dhe kishte folur haptazi për depresionin dhe ankthin kur ishte tërhequr nga “French Open” në vitin 2021. Më vonë, Osaka kishte marrë pushime të gjata nga tenisi për të mbrojtur shëndetin mendor. Gjatë tërë vitit të shkuar ajo nuk ka luajtur tenis dhe ka pranuar se i ka munguar shumë sporti.

“Prejse jam bërë nënë, kam reflektuar shumë. Tani jam më e hapur dhe më shumë e durueshme. Po ashtu ndihem shumë më e fortë fizikisht dhe besoj se Shai me ka ndihmuar shumë në këtë aspekt”, tha Osaka.

Edhe Naomi Osaka është shtatzënë Showbiz Naomi Osaka është shtatzënë

Kerber, e cila shpërtheu në “Australian Open” në vitin 2016, u tërhoq nga pjesëmarrja në “US Open” të vitit 2022 për shkak se ishte shtatzënë. Vajza e saj, Liana, lindi në muajin shkurt të vitit të shkuar, ndërsa fitoren e parë pas lindjes Kerber e arriti javën e shkuar në Sydney në kuadër të turneut “United Cup Team”.

“Rikthimi im në tenis pas lindjes ka qenë fantastik, më i mirë se që e kam pritur. Kështu që jam gati për turneun e madh”, insistoi Kerber.

Wozniaci triumfoi në vitin 2018 në “Australian Open”, ndërsa është martuar me ish-lojtarin e NBA-së, David Lee një vit në vonë. Në vitin 2020, u tërhoq nga tenisi dhe tani është nënë e dy fëmijëve, Olivias dhe Jamesit. Ajo u kthye vitin e shkuar, por nuk pati ndonjë sukses.