Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

Shprehitë e këqija të ushqyerjes mund të jenë shkaktarë të migrenës

migrena

Nuk ka dyshim se dhimbjet e kokës mund të jenë të bezdisshme, veçanërisht nëse ato janë të forta, të gjata ose të shpeshta. Megjithatë, migrena shkon përtej një dhimbje koke të keqe dhe mund të jetë tepër e dhimbshme, e përcjellë me të përziera dhe plogështi. Ndërsa faktorë të ndryshëm mund t’ju bëjnë të jeni më të ndjeshëm ndaj migrenës, ka gjithashtu gjëra që mund ta shkaktojnë këtë kokëdhimbje të rëndë ose ta bëjnë atë edhe më të keqe. Sipas një studimi të ri, këtu përfshihen shprehitë e këqija të të ngrënit.

Zbulimet e studimit të publikuar në gazetën “Nutritional Neuroscience”, tregojnë se kequshqyerja e lehtë, e moderuar dhe e rëndë, lidhej me pjesëmarrësit që përjetonin dhimbje koke më të forta dhe më shpesh, shkruan portali “Eat This, Not That”. Hulumtuesit vunë në dukje gjithashtu se dietat e atyre që vuanin nga dhimbje koke të rënda dhe migrenë, kishin prirje të kenë mungesë të vitaminave dhe lëndëve ushqyese si, fibra dietike, folate të plota, riboflavin, selen, kalium dhe magnez, si dhe vitaminë A, vitaminë B6, vitaminë B12, vitaminë C dhe vitaminë K.

Migrena mund të shkaktohet edhe nga nivelet e ulëta të sheqerit në gjak. Nëse dikush është duke kaluar intervale të gjata midis vakteve, duke i anashkaluar vaktet ose duke i mënjanuar grupet kryesore të ushqimit, veçanërisht karbohidratet, kjo mund ta shkaktojë uljen e niveleve të sheqerit në gjak. Përveç kësaj, kequshqyerja e zgjatur zakonisht çon në mungesë të vitaminave dhe mineraleve.

Prandaj, është e rëndësishme ta gjejmë një ofrues të kujdesit shëndetësor që ka përvojë në punën me migrenën. Një mjek ose dietolog i regjistruar është në gjendje të ndihmojë në krijimin e një diete që e zbutë rrezikun e migrenës. Mund të nevojiten edhe suplemente shtesë për ta parandaluar frekuencën e migrenës.