Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, (OBSH) migrena është ndër sëmundjet që kufizojnë më së shumti aftësinë për funksionim në jetën e përditshme, ka shkruar The Guardian.
Ajo mund të ndikohet nga faktorë si mungesa ose gjumi i tepërt, dehidratimi, stresi i madh, ndryshimet hormonale, si dhe ndërprerja e konsumit të kafeinës.
Shkencëtarët kanë zbuluar se migrena lidhet me aktivizimin e një rrjeti nervash në tru të quajtur sistemi trigeminovaskular. Kur ky sistem aktivizohet, çlirohet një substancë kimike e quajtur CGRP, e cila nxit sinjalet e dhimbjes dhe shkakton sulmin e migrenës.
Dhimbjet e kokës ndahen në dy kategori kryesore: primare, ku nuk ka një problem tjetër në tru, dhe sekondare, që mund të shkaktohen nga gjendje më serioze si tumoret, infeksionet ose sulmet në tru. Migrena bën pjesë te dhimbjet primare.
Sipas ekspertëve, migrena zakonisht shoqërohet me dhimbje të forta, shpesh në njërën anë të kokës, ndjeshmëri ndaj dritës dhe zhurmës, nevojë për qetësi, si dhe të përziera.
Edhe
Shkaktarët e fshehtë të migrenës
Migrena zakonisht kalon në katër faza:
-Faza paralajmëruese: mund të shfaqen lodhje, gogësima të shpeshta, dëshirë për ushqime të caktuara ose ndryshime të tjera.
- Aura: rreth 30 për qind e personave përjetojnë probleme me shikimin, mpirje ose vështirësi në të folur.
-Sulmi i migrenës: dhimbja mund të zgjasë nga 4 deri në 72 orë.
-Faza pas migrenës: personi mund të ndihet i lodhur dhe pa energji për disa ditë.
Për shekuj me radhë, njerëzit janë përpjekur të kuptojnë dhe trajtojnë migrenën, por vitet e fundit shkenca ka bërë përparime të mëdha në zbulimin e shkaqeve dhe trajtimeve të saj.
Në të kaluarën, kjo gjendje shpesh keqkuptohej. Mjekët besonin se shkaktohej nga faktorë të ndryshëm, nga problemet me enët e gjakut deri te emocionet e shtypura. Tash dihet se migrena është një sëmundje neurologjike dhe jo thjesht një dhimbje koke e zakonshme.
Ekspertët theksojnë se dëshirat për ushqime para migrenës nuk e shkaktojnë dhimbjen, por janë një shenjë që sulmi tashmë ka filluar të zhvillohet në tru.
Edhe
Ngrirja e trurit? Dhimbja e kokës nga akullorja dhe lidhja me migrenën
Në ditët e sotme ka trajtime të reja që kanë ndryshuar mënyrën e menaxhimit të migrenës. Ilaçet që bllokojnë veprimin e CGRP, përfshirë tabletat dhe injeksionet mujore, kanë sjellë përmirësime të mëdha për shumë pacientë.
Megjithatë, ekspertët thonë se ende nevojitet më shumë ndërgjegjësim dhe qasje më e lehtë në trajtim, pasi migrena mund të ndikojë seriozisht në jetën e përditshme, punën dhe mirëqenien e njerëzve.