Truri kalon nëpër pesë faza të dallueshme gjatë jetës, me pika të rëndësishme kthese në moshat nëntë, 32, 66 dhe 83 vjeç, kanë zbuluar shkencëtarët, raportoi të martën BBC-ja.
Rreth 4,000 njerëz deri në moshën 90 vjeç iu nënshtruan skanimeve për të zbuluar lidhjet midis qelizave të trurit të tyre.
Studiuesit në Universitetin e Kembrixhit treguan se truri qëndron në fazën e adoleshencës deri në fillim të të tridhjetave, kur konsiderohet edhe si kulmi.
Ata thonë se rezultatet mund të ndihmojnë të kuptohet pse rreziku i çrregullimeve të shëndetit mendor dhe demencës ndryshon gjatë jetës.
Truri ndryshon vazhdimisht në përgjigje të njohurive dhe përvojave të reja - por hulumtimi tregon se ky nuk ndjek model të qetë nga lindja deri në vdekje.
Përkundrazi, këto janë pesë fazat e trurit:Fëmijëria - nga lindja deri në nëntë vjeç
• Adoleshenca - nga nëntë deri në 32 vjeç
• Mosha e rritur - nga 32 në 66 vjeç
• Plakja e hershme - nga 66 në 83 vjeç
• Plakje e vonë - nga 83 vjeç e tutje
“Truri riformëson lidhjet gjatë gjithë jetës. Ai gjithmonë forcon dhe dobëson lidhjet dhe nuk është model i qëndrueshëm - ka luhatje dhe faza të riformësimit të trurit”, ka deklaruar Alexa Mousley për BBC-në.
Disa njerëz i arrijnë këto faza më herët ose më vonë se të tjerët.
Pesë fazat e trurit
Fëmijëria - Periudha e parë është kur truri rritet me shpejtësi, por gjithashtu hollon tepricën e lidhjeve midis qelizave të trurit, të quajtura sinapse, të krijuara në fillim të jetës.
Truri bëhet më pak efikas gjatë kësaj faze. Ai funksionon si një fëmijë që endet nëpër një park, duke shkuar kudo që i pëlqen, në vend që të shkojë direkt nga pika A në B.
Adoleshenca - Kjo ndryshon papritur që nga mosha nëntë vjeç, kur lidhjet në tru kalojnë nëpër një periudhë efikasiteti të ashpër. "Është një ndryshim i madh", ka thënë Mousley, duke përshkruar ndryshimin më të thellë midis fazave të trurit.
Kjo është gjithashtu periudha kur ekziston rreziku më i madh i fillimit të çrregullimeve të shëndetit mendor.
Adoleshenca fillon rreth pubertetit, por kjo është tjetër provë që tregon se mbaron shumë më vonë nga sa supozohet.
Kjo fazë është e vetmja periudhë e trurit kur rrjeti i neuroneve të tij bëhet më efikas. Mousely ka thënë se kjo mbështet shumë matje të funksionit të trurit që tregojnë se ai arrin kulmin në fillim të të tridhjetave, por shtoi se është interesante se si truri qëndron në të njëjtën fazë midis nëntë dhe 32 vjeç.
Mosha e rritur – Pas kësaj vjen një periudhë stabiliteti për trurin, derisa ai hyn në epokën e tij më të gjatë, që zgjat tre dekada.
Ndryshimi është më i ngadaltë gjatë kësaj kohe krahasuar me fazat e mëparshme.
Mousely ka shtuar se kjo "përputhet me një stabilizim të inteligjencës dhe personalitetit që shumë prej nesh do ta kenë vërejtur ose përjetuar.
Plakja e hershme – Kjo fazë fillon në moshën 66 vjeç, por nuk është një rënie e menjëhershme. Përkundrazi, ka ndryshime në modelet e lidhjeve në tru.
Në vend që të koordinohet si tërësi, truri ndahet në zona që punojnë fort së bashku - si anëtarët e një grupi muzikor që fillojnë projektet e tyre solo.
Edhe pse studimi u përqendrua në trurin e shëndetshëm, kjo është gjithashtu mosha në të cilën demenca dhe presioni i lartë i gjakut, të cilat ndikojnë në shëndetin e trurit, fillojnë të shfaqen.
Plakja e vonë - Pastaj, në moshën 83 vjeç, hyjmë në fazën përfundimtare. Ka më pak të dhëna sesa për grupet e tjera. Ndryshimet në tru janë të ngjashme me plakjen e hershme, por edhe më të theksuara.
Mousely ka deklaruar se ajo që e habiti vërtet ishte se sa mirë "moshat e ndryshme përputhen me shumë momente të rëndësishme" siç janë puberteti, shqetësimet shëndetësore më vonë në jetë dhe madje edhe ndryshimet mjaft të mëdha shoqërore në fillim të të 30-ave, siç është prindërimi.