Për dekada, studiuesit kanë ëndërruar të ndihmojnë njerëzit që kanë humbur aftësinë për të folur për shkak të sëmundjeve si ALS ose sulmeve në tru. Tani, një ekip nga projekti "BrainGate2" ka bërë një hap të madh: jo vetëm që ka dekoduar fjalët që pacientët përpiqeshin t’i shqiptonin, por edhe ato që vetëm i mendonin, ka raportuar The New York Times.
Në studimin e ri, botuar në revistën Cell, pacientëve me elektroda në tru iu kërkua të thoshin ose të imagjinonin fjalë si “kite” apo “day”. U zbulua se imagjinimi i një fjale prodhonte një model aktiviteti të ngjashëm me përpjekjen për ta thënë atë, vetëm se më të dobët. Pas trajnimit të mëtejshëm të kompjuterit, ky sistem arriti të kuptonte madje edhe fjali të tëra të menduara, si: “Nuk e di që sa kohë je këtu.”
“Është përparim fantastik. Për disa njerëz, sinjalet e mendimeve të brendshme nuk janë aq të ndryshme nga ato të të folurit real”, ka thënë Christian Herff, neuroshkencëtar në Universitetin Maastricht.
Kjo teknologji mund të lehtësojë jetën e pacientëve që lodhen nga përpjekja për të folur me gojë.
“Nëse mund të dekodojmë të folurin e brendshëm, mund të shmangim përpjekjen fizike dhe pacientët mund ta përdorin sistemin më gjatë”, ka thënë Erin Kunz, autore e studimit nga Universiteti i Stanfordit.
Megjithatë, lind një pyetje etike: a mund të “përgjojë” kompjuteri mendime që pacienti nuk dëshiron t’i ndajë?
Në disa raste, sistemi zbuloi numra ndërsa pjesëmarrësit po numëronin objekte në mendje.
Për të mbrojtur privatësinë mendore, ekipi ka propozuar dy zgjidhje:
Filtrimi - të dekodohet vetëm të folurit e synuar, jo mendimet.
Fjalëkalimi mendor - pacienti aktivizon sistemin vetëm pasi të mendojë një frazë të pazakontë, si “Chitty Chitty Bang Bang”, e cila u njoh me saktësi 98.75 për qind.
Cohen Marcus Lionel Brown, nga Universitetin e Wollongong, e quajti këtë “hap në drejtimin e duhur” për t’u dhënë pacientëve kontroll mbi informacionin që ndajnë.
Jo të gjithë shkencëtarët mendojnë se kjo teknologji mund të lexojë çdo mendim.
“Shumë njerëz nuk e dinë çfarë do të thuash kur thua se ke një zë të brendshëm. Ndoshta duhet të shkosh te mjeku nëse po dëgjon fjalë brenda kokës”, ka thënë me humor Evelina Fedorenko nga Instituti McGovern.
Ajo ka shtuar se pjesa më e madhe e mendimeve spontane “nuk janë fjali të formuara mirë” dhe se sistemi aktual “shpesh regjistron kryesisht mbeturina”.
Për momentin, kjo është provë konceptuale, por studiuesit besojnë se në të ardhmen të folurit e brendshëm mund të bëhet standard i ndërlidhur në mes të trurit e kompjuterit.