Shkencëtarët kanë arritur t’i krijojnë viruset e para përmes inteligjencës artificiale, në një arritje historike, që pos shpresës për medikamente të reja ka nxitur edhe shqetësimet për sigurinë e njerëzimit.
Viruset në fjalë janë specifike. Njihen si bakteriofagë dhe infektojnë vetëm bakteret. Përdoren vetëm për të trajtuar pacientët me infeksione të vazhdueshme. Në testet laboratorike të kësaj arritje, viruset nga AI-ja rezultuan në mbytjen e bakterit escherichia coli, që ishte rezistent ndaj bakteriofagëve natyrorë.
Sipas shkencëtarëve amerikanë, këto viruse të krijuara nga AI-ja janë tërësisht funksionale dhe që mund të shumohen në laborator.
Është hera e parë që gjenome të plota dizajnohen me sukses nga AI.
16 viruset e reja që rezultuan, u krijuan për të infektuar baktere dhe nuk përbënin rrezik për njerëzit.
Edhe
Vaksina e parë në botë e dizajnuar nga inteligjenca artificiale
Arritja është cilësuar si “pikë kthese” në shkencë. Ajo vlerësohet se mund të hapë rrugë të reja për trajtim të sëmundjeve. Por ekspertët kanë paralajmëruar po ashtu se duhet të kihet kujdes të jashtëzakonshëm mbi këto viruse.
Vegëzat me AI tashmë janë avancuar dhe janë përdorur për të krijuar antibiotikë të rinj. Por kjo konsiderohet shumë e thjeshtë në krahasim me krijimin e një virusi krejtësisht të ri nga zeroja.
“Ky është hap i ri tjetër në kompleksitetin që mund të projektohet nga AI-ja. Kjo është hera e parë që AI përdoret për të projektuar gjenom të plotë. Diçka që mund të replikohet dhe të ketë funksione të tjera brenda qelizave. Ky ishte lloj territori i ri për ne”, ka thënë për BBC-në, Brian Hie, profesor asistent në Stanford University.
Teknologjia konsiderohet e ngjashme sikur modelet e mëdha si ChatGPT që parashikojnë vazhdimin e një fjalie apo teksti. Në rastin konkret, modelet “evo1” dhe “evo2” parashikojnë “gjuhën e jetës”. Modelet janë trajnuar nëpërmjet kodeve gjenetike të viruseve, baktereve, bimëve dhe njerëzve. Këto mësime u rafinuan për të prodhuar një lloj virusi, të njohur si bakteriofag, i cili infekton vetëm lloje specifike të baktereve.
Shkencëtarët e Stanfordit më pas zgjodhën 302 modelet më premtuese dhe i sintetizuan në laborator. Nga to, 16 rezultuan efektivë në mbytjen e baktereve të escherichia coli.
Edhe
AI-ja tregon potencial në krijimin e antibiotikëve kundër baktereve rezistente
Zhvillimi i tillë mund të çojë në hapjen e rrugëve të reja për të trajtuar infeksionet që janë bërë rezistente ndaj antibiotikëve.
Por zhvillimi sinjalizon se AI-ja ka aftësi të tejkalojë me biologji botën natyrore.
Megjithatë, në mesin e ekspertëve ka shqetësime se teknologjia e njëjtë mund të përdoret edhe për qëllime të këqija. Në një koment për studimin në revistën “Science”, doktorët Thomas Inglesby dhe Moritz Hanke nga Qendra për Sigurinë Shëndetësore në Universitetin “Johns Hopkins” kanë ngritur pyetje urgjente për biosigurinë.
Virusi është grimcë shumë e vogël që nuk mund të jetojë dhe të shumohet vetë. Ai hyn në qelizat e trupit dhe përdor qelizën për të kopjuar veten. Gripi është virus.
Edhe
Krijohen antibiotikë të rinj me inteligjencë artificiale kundër gonorresë dhe bakterit MRSA
Bakteret janë qenie shumë të vogla njëqelizore që mund të jetojnë dhe të shumohen vetë. Disa prej tyre mund të jenë të dobishme e disa shkaktojnë sëmundje. Për shembull disa infeksione të fytit shkaktohen nga bakteret.
Ato nuk e luftojnë njëra-tjetrën, por ka viruse që quhen bakteriofagë dhe që i sulmojnë bakteret.