Kremrat kundër diellit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të lejohen të përmbajnë një përbërës që përdoret gjerësisht në Evropë, Australi dhe Azi, sipas një propozimi nga Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA).
Ekspertët thonë se kimikati Bemotrizinol, i cili vepron si krem kundër diellit me spektër të gjerë, mund të ofrojë mbrojtje më të mirë kundër rrezeve ultravioletë (UV) A dhe B të emetuara nga dielli sesa produktet e miratuara aktualisht në SHBA.
Komisioneri i FDA-së, Marty Makary, kritikoi SHBA-në të enjten për, siç ka thënë ai, veprime shumë të ngadalta në miratimin e teknologjisë së re të kremrave kundër diellit, në krahasim me vendet e tjera.
Propozimi i ri i FDA-së do t'u lejonte kompanive të përdorin bemotrizinolin deri në 6% në produktet e tyre, raportoi BBC-ja.
"Agjencia historikisht ka ecur shumë ngadalë në këtë fushë, duke i lënë amerikanët me më pak mundësi sesa konsumatorët jashtë vendit. Amerikanët meritojnë qasje në kohë në produktet më të mira, të sigurta dhe efektive për konsumatorin, të cilat shiten pa recetë”, ka thënë Makary në një deklaratë të lëshuar nga FDA-ja.
Kremi kundër diellit është i rëndësishëm për t’u përdorur për të parandaluar kancerin e lëkurës dhe plakjen e parakohshme.
Sipas zyrtarëve të shëndetësisë në Mbretërinë e Bashkuar, shumica e njerëzve nuk përdorin mjaftueshëm krem kundër diellit.
Kanceri i lëkurës është kanceri më i zakonshëm në Amerikë.