Në verë, rrjetet sociale janë mbushur me influencerë që pretendojnë se kremrat kundër diellit janë “toksikë”. Ndër ta është edhe ylli i “reality show” britanik “The Only Way Is Essex”, Sam Faiers, e cila ka thënë se “kremrat kundër diellit janë plot përbërës toksikë” dhe se familja e saj nuk përdor fare krem dielli, pasi sipas saj, fëmijët kanë “tolerancë të mirë” ndaj diellit, ka raportuar The Guardian.
Por çfarë thotë shkenca në të vërtetë për rrezet e diellit dhe kremrat mbrojtës?
Si e dëmton dielli lëkurën?
Problemi kryesor janë rrezet ultravjollcë (UV), të cilat shkaktojnë plakje të parakohshme të lëkurës, duke dëmtuar kolagjenin dhe elasticitetin e lëkurës. Këto rreze gjithashtu mund të shkaktojnë dëmtime në ADN-në e qelizave, që mund të çojnë në kancer të lëkurës.
“Shumë rrezatim UV nga dielli është shkaktari kryesor i melanomës, forma më e rrezikshme e kancerit të lëkurës. Prandaj është e rëndësishme të krijohen zakone të mira mbrojtjeje ndaj diellit që në fëmijëri, duke përdorur hije, veshje dhe krem mbrojtës”, ka thënë doktoresha Claire Knight nga Cancer Research Center UK.
A krijon trupi “tolerancë” ndaj diellit?
Kur njerëzit ekspozohen në diell, lëkura trashet dhe fillon të prodhojë melaninë, që shkakton nxirjen. Por kjo nxirje ndodh pas dëmtimit të ADN-së dhe nuk është e padëmshme.
“Shumica e dëmtimeve në ADN riparohen, por disa jo, dhe ato mund të çojnë në kancer të lëkurës më vonë. Veçanërisht ekspozimi gjatë fëmijërisë është rrezik i madh”, ka theksuar Brian Diffey, ekspert i fotobiologjisë.
Ai ka sugjeruar që kremi të përdoret vetëm kur indeksi UV është mbi 3, që ndodh zakonisht nga muaji mars deri në muajin tetor.
Si funksionon kremi kundër diellit?
Kremrat përmbajnë filtra të rrezeve UV që bllokon rrezet. Kremi inorganik, i cili përbëhet nga zink oksidii dhe dioksidi i titaniumit dhe kremi organik, i cili ka përbërës me karbon, si avobenzone e oxybenzone.
Shumë produkte përmbajnë kombinim të të dyjave për mbrojtje më të mirë.
Pse po shqetësohen njerëzit për përbërësit?
Në vitin 2019, FDA (Agjencia e Ushqimit dhe Barnave në SHBA) ka publikuar një studim që tregoi se disa përbërës organikë të kremrave (si oxybenzone) kalojnë në gjak pas aplikimit në lëkurë.
“Kini kujdes me atë që lyeni trupin tuaj dhe fëmijët tuaj”, ka thënë përmes një postimi doktori amerikan Tro Kalayjian.
Por vetë autorët e studimit theksuan se këto rezultate nuk përcaktojnë që njerëzit duhet të ndalojnë përdorimin e kremrave kundër diellit.
Diffey ka shtuar se në studim, kremi ishte përdorur në sasi shumë të mëdha, ndërsa në praktikë njerëzit përdorin rreth 1/10 e sasisë, gjë që e ul ndjeshëm përthithjen në gjak.
A janë përbërësit organikë të rrezikshëm?
Përbërës si oxybenzone mund të ndikojnë në sistemin hormonal (quhen disruptorë endokrinë). Disa studime i kanë lidhur me ulje të fertilitetit dhe probleme me spermën, por efektet janë të diskutueshme dhe nevojiten më shumë studime.
Përbërësit inorganikë, si zinku dhe dioksidi i titaniumit, nuk përthithen në gjak, por mund të ndikojnë në mjedis, sidomos në ujërat detare, kur kremi në trupin e notuesve fshihet nga uji.
Rregullat e reja?
Mbretëria e Bashkuar do të ulë përqindjen maksimale të oxybenzone nga 6% në 2.2% për produktet për gjithë trupin nga viti 2026.
Në Australi, autoritetet po kërkojnë riformulime për disa përbërës.
Në SHBA, FDA vazhdon shqyrtimet për sigurinë.
A shkaktojnë kremrat kancer ose mungesë vitamine D?
Jo.
Profesori Antony Young, nga King's College London, ka theksuar se nuk ka prova që kremrat shkaktojnë kancer.
“Nuk ka asnjë provë që kremrat shkaktojnë kancer. Kanceri i lëkurës shkaktohet nga mutacione të shkaktuara nga UV, jo nga kremrat”, ka thënë Young.
Për sa i përket vitaminës D, ai thotë se sasia e nevojshme e diellit për të prodhuar vitaminë D është shumë më e vogël se ajo që shkakton djegie.
“Kremrat nuk ndikojnë shumë në prodhimin e saj”, ka thënë ai.
Por a nuk është i shëndetshëm dielli?
Disa studiues besojnë se ekspozimi i moderuar në diell mund të ketë përfitime shëndetësore, si ulje e tensionit, mbrojtje ndaj sëmundjeve autoimune dhe disa lloje kanceresh.
“Dielli është i mirë për ju. Vetëm mos digjeni. Mund të përdorni krem, kapele, ose të futeni në hije – çfarëdo që ju përshtatet”, ka thënë profesori Richard Weller nga Universiteti i Edinburgut.
Ndërkohë Young ka shtuat se diellin duhet shijuar pa u djegur.
“Shijoni diellin, por pa u djegur. Mbrohuni me krem, veshje ose duke kufizuar kohën në diell. Kremrat funksionojnë”, ka thënë ai.