“Miratimi i ilaçit të parë për shërimin e COVID-19 është një hap i rëndësishëm në luftën kundër virusit”, ka njoftuar komisarja për Shëndetësi e Gjermanisë, Stela Kiriyakides.
Fjala është për remdesivirin, ilaçin të cilin Bashkimi Evropian e miratoi për përdorim emergjent – për më pak se një muaj. Shtetet e Bashkuara të Amerikës qysh në fillim të majit e kishin miratuar përdorimin e kufizuar të remdesivirit nëpër spitale. Ndërsa në Gjermani ilaçi ka qenë i qasshëm në kuadër të programit special të trajtimit dhe është testuar nëpër studime klinike.
Agjencia evropiane për Ilaçe (EMA) ua rekomandon trajtimin me remdesivir pacientëve të moshave më së paku deri 12 vjeç, të cilët kanë ndezje të mushkërive dhe që duhet të marrin furnizim shtesë me oksigjen. Doza jepet me anë të infuzionit dhe e pengon enzimën e virusit, i cili është i nevojshëm për shumëzimin e tij. Ditën e parë jepet infuzioni prej 200 miligramësh, e më pas infuzioni prej 100 miligramësh në ditë – së paku 4, por më së shumti 9 ditë.
Ilaç që deri diku e shkurton fazën e shërimit
Mjekët këtë ilaç e shohin si lehtësues për pacientët, por jo edhe si kurë përfundimtare për COVID-19.
Një studim ndërkombëtar me më tepër se 1.000 pjesëmarrës, kryer kah fundi i prillit, ka treguar se remdesiviri mund ta shkurtojë fazën e shërimit te rastet me koronavirus – mesatarisht – për katër ditë, nga 15 në 11 ditë. Pacientët me formën më të rëndë të COVID-19, të cilën shtresë e përbëjnë përafërsisht 90 për qind e pacientëve që morën pjesë në studimin klinik – janë shëruar për 12 ditë, në krahasim me 18 ditë sa zgjat shërimi pa këtë ilaç.
Ky efekt megjithatë nuk është vërejtur te rastet e formës më të butë të kësaj sëmundjeje vdekjeprurëse: rikuperimi me apo pa remdesivir ka zgjatur 5 ditë. Dallim nuk ka pasur as te pacientët e sëmurë më së rëndi, të cilët kanë marrë ilaçin remdesivir apo i janë nënshtruar efektit placebo, e të cilët veçse ishin në respirator.
Edhe
SHBA-ja e miraton remdesivirin për trajtimin e COVID-19
Gjatë fillimit të vitit, remdesiviri ishte përdorur në Wuhan në kombinim me klorokinën, ilaç ky kundër malaries. Shkencëtarët kinezë kanë shkruar me rastin e një publikimi të tyrit në shkurt se është “shumë efikas”.
Duke e pasur parasysh faktin se Organizata Botërore e Shëndetësisë i ka ndalur studimet e klorikinës në aspektin e shërimit të koronavirusit për shkaqet e sigurisë, aktualisht janë remdesiviri dhe deksametazoni mjetet më perspektive për shkurtimin e rrjedhës së infeksionit SARS-CoV-2.
Pos kësaj, prodhuesi amerikan i ilaçeve “Gilead Science”, në ueb faqen e vet shkruan: “Puna jonë me remdesivirin nuk është as afër së marri fund. Po vazhdojmë ta hulumtojmë potencialin e tij, siç është vlerësimi i ndikimit në fazën e hershme të sëmundjes, atë ambulante, në formën e inhalatorit dhe në kombinim me terapitë e tjera”.