Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

Rastet me kancer te nën 50-vjeçarët u rritën për 80 për qind në tri dekada

Numri i njerëzve nën moshën 50-vjeçare të diagnostikuar me kancer është rritur për gati 80 për qind në tri dekada, sipas studimit më të madh të kryer ndonjëherë në këtë fushë.

Rastet me kancer të hershëm u rritën nga 1.82 milionë në vitin 1990, në 3.26 milionë më 2019, ndërsa vdekjet nga kanceri te njerëzit në të 40-at, 30-at apo më të rinj u rrit për 27 për qind. Më shumë se një milion njerëz nën moshën 50-vjeçare po vdesin për vit nga kanceri, sipas studimit, shkruan “The Guardian”.

Ekspertët janë ende në fazën fillestare të të kuptuarit të arsyeve prapa rritjes së rasteve me kancer. Autorët e studimit të publikuar në “BMJ Oncology” kanë thënë se ushqimi i dobët, konsumimi i alkoolit dhe duhanit, aktiviteti i paktë fizikë dhe mbipesha janë ndër faktorët kyç.

“Që nga 1990-a, shkalla e rasteve të hershme dhe vdekjeve është rritur ndjeshëm”, thuhet në raport, duke sugjeruar që të bëhet stil i shëndetshëm i jetës, të konsumohet ushqim i shëndetshëm e të reduktohen duhani dhe alkooli.

Studimet e mëhershme kanë thënë se shkalla e rasteve me kancer te të rriturit nën moshën 50-vjeçare është rritur në disa pjesë të botës ndër dekada. Studimi i fundit, i kryer nga Universiteti i Edinburghut në Skoci dhe Universiteti i Mjekësisë në Hangzhou të Kinës ishte i pari që nxori në pah rritjen e rasteve në nivel botëror dhe faktorët që rrezikojnë të rinjtë.

Edhe OBSH: Rastet me kancer pritet të rriten ndjeshëm në mbarë botën deri në vitin 2050 Lifestyle OBSH: Rastet me kancer pritet të rriten ndjeshëm në mbarë botën deri në vitin 2050

Shumica e studimeve të mëhershme ishin të fokusuara në dallimet rajonale e kombëtare. Në këtë studim global hulumtuesit analizuan të dhënat nga 204 shtete dhe 29 lloje kanceresh. Ata monitoruan rastet e reja, vdekjet, pasojat shëndetësore dhe rreziqet që kontribuuan te ndryshimet sa i përket grupmoshës 14-49 në periudhën ndërmjet 1990-s dhe 2019-s.

Në vitin 2019, diagnostikimi i rasteve të reja me kancer te njerëzit nën moshën 50-vjeçare ishte 3.26 milionë, që paraqet rritje prej 79 për qind në krahasim me vitin 1990. Raste me kancer të gjirit përbëjnë përqindjen më të lartë të rasteve, por edhe të vdekjeve, me 13.7 dhe 3.5 në çdo 100 mijë njerëz.

Numri i rasteve në fyt dhe prostatë u rrit më së shpejti në periudhën 1990-2019, me rreth 2.28 dhe 2.23 për qind për çdo vit. Ndërkaq rastet e hershme të kancerit të mëlçisë ranë për çdo vit për rreth 2.88 për qind.

1.06 milionë njerëz nën moshën 50-vjeçare vdiqën si pasojë e kancerit më 2019, që paraqet rritje prej 27 për qind në krahasim me vitin 1990. Kanceri i gjirit pati numrin më të madh të vdekjeve, ndërsa më pas ai i fytit, mushkërive, barkut dhe zorrëve.

Shkalla më e lartë e kancereve në fazë të hershme në vitin 2019 u zbuluan në Shtetet e Bashkuara, Oqeani dhe Evropën Perëndimore. Vendet me të hyra më të ulëta apo mesatare ishin po ashtu të prekura. Shkalla më e lartë e vdekjeve te të rinjtë nën 50-vjeç ishte në Oqeani, Evropën Lindore e Azinë Qendrore.

Te vendet me të hyra më të ulëta, kanceri pati ndikim më të madh te gratë se te burrat.

Edhe Rritet numri i rasteve të kancerit të lidhura me obezitet te të rinjtë Lifestyle Rritet numri i rasteve të kancerit të lidhura me obezitet te të rinjtë

Bazuar në mbikëqyrjen e trendit në tri dekada, ekspertët kanë parashikuar se numri i rasteve të reja me kancer dhe vdekjeve do të rritet për rreth 31 për qind dhe 21 për qind deri më 2030, me njerëzit në të 40-at si grupmosha më e rrezikuar.

Edhe faktorët gjenetikë, sipas ekspertëve, kanë ndikim në numrin e rasteve. Por dietat me nivel të lartë të mishit të kuq, kripës, frutave të pakta dhe qumështit, krahas konsumimit të alkoolit dhe duhanit, janë rreziqet kryesore dhe më të zakonshme te njerëzit nën 50-vjeç. Sipas të dhënave, edhe aktiviteti i dobët fizik, pesha e tepërt dhe niveli i lartë i sheqerit ndikojnë po ashtu.