Një studim i realizuar nga Universiteti Shtetëror i Ohios sugjeron se një pije e përgatitur me domate të pasura me likopen dhe përbërës nga soja mund të ndihmojë në uljen e inflamacionit kronik te të rriturit me obezitet, ka shkruar Fox News.
Në studim, pjesëmarrësit konsumuan dy gota nga rreth 180 ml të kësaj pijeje çdo ditë për katër javë. Rezultatet treguan ulje të ndjeshme të tri proteinave që lidhen me inflamacionin kronik në organizëm.
Pija e përdorur në studim nuk ishte lëng domateje i zakonshëm. Ajo ishte përgatitur nga domate të kultivuara me përmbajtje të lartë të likopenit, një antioksidant i fuqishëm që u jep domateve ngjyrën e kuqe, dhe ishte pasuruar me izoflavone të sojës, përbërës natyralë me veti të dobishme për shëndetin.
Kur u krahasua me lëngun e zakonshëm të domates, vetëm pija e pasuruar arriti të ulte shënuesit e inflamacionit.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se rezultatet duhen interpretuar me kujdes.
Edhe
Çfarë e bën kaq të shëndetshme dietën mesdhetare?
“Ky studim u shtohet provave që tregojnë se disa përbërës natyralë të ushqimeve mund të ndikojnë në inflamacion, por është e rëndësishme t'i shohim rezultatet në perspektivë”, ka thënë dietologia Jamie Lee McIntyre, e cila nuk ishte pjesë e studimit.
Ajo ka theksuar se pija e testuar nuk është një produkt që konsumatorët mund ta përgatisin lehtësisht në shtëpi, pasi përmban përqendrime të larta të likopenit dhe izoflavoneve.
Ekspertja ka shtuar se studimi përfshiu vetëm 12 persona dhe zgjati katër javë, ndaj është shumë herët për të nxjerrë përfundime të gjera.
“Kjo mjafton për të ngritur një hipotezë interesante, por jo për të pohuar se kjo pije do të ulë inflamacionin ose do të përmirësojë shëndetin e popullatës në përgjithësi”, u shpreh ajo.
Në vend që të kërkojnë një ushqim të vetëm “kundër inflamacionit”, McIntyre këshillon njerëzit të përqendrohen te një regjim ushqimor i balancuar.
Edhe
Sasia e kafes që mund të pini çdo ditë pa rrezikuar shëndetin
“Për shumicën e njerëzve, përfitimi më i madh vjen nga konsumimi i vazhdueshëm i një diete të larmishme dhe me shumë ngjyra, jo nga ndjekja e çdo lajmi të ri për ushqimin”, ka përfunduar ajo.
Studiuesit shpresojnë të zhvillojnë kërkime më të mëdha në të ardhmen për të kuptuar më mirë nëse ndërhyrjet përmes ushqimit mund të ndihmojnë në kontrollin e inflamacionit kronik.