Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

Përfitimet dhe rreziqet pas filxhanit të katërt të kafesë

kafeja

Nuk është hera e parë që një studim e lidh kafen me lumturinë, shkruan lifestyle.everyeye.it.

Megjithatë, studiuesit e Universitetit Fudan në Shangai (Kinë) kanë shkuar më tej, duke analizuar një nga mostrat më të mëdha ndonjëherë për të thelluar lidhjen mes konsumit të të ashtuquajturit “ari i zi” dhe shëndetit mendor.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Përfundimet e kërkimit janë publikuar në revistën “Journal of Affective Disorders” dhe vijnë nga analiza e të dhënave të 461.586 personave gjatë një periudhe prej 13 vjetësh.

Çfarë u zbulua?

U zbulua se dy ose tre filxhanë kafe në ditë mund të ndihmojnë në mbajtjen larg të depresionit. Nga filxhani i katërt tejkalohet kufiri optimal, ndërsa nga i pesti e sipër rritet rreziku për të hasur çrregullime të humorit.

Autorët theksojnë se pjesëmarrësit nuk kishin çrregullime mendore para përfshirjes në studim. Konsumi i deklaruar i kafesë gjatë periudhës së ndjekjes është krahasuar me diagnozat e mëvonshme që lidhen me çrregullime të humorit dhe çrregullime të stresit.

Nga kjo analizë doli një kurbë në formën e germës J: rreziku bie ndërsa rritet konsumi, por më pas rritet sërish pasi tejkalohen dy deri në tre filxhanë në ditë.

Kjo do të thotë se ata që pinin dy ose tre filxhanë kafe në ditë kishin një rrezik më të ulët për të zhvilluar probleme të shëndetit mendor, krahasuar me ata që pinin më shumë ose me ata që nuk pinin fare.

Ndërsa rreziku fillon të rritet sërish kur konsumi kalon pesë filxhanë në ditë.

“Janë identifikuar lidhje në formë J-je mes konsumit të kafesë dhe çrregullimeve mendore, çka sugjeron se një konsum i moderuar i kafesë mund të ketë efekte të dobishme për shëndetin mendor”, shpjegojnë autorët, duke theksuar se përfitimet më të theksuara janë vërejtur te meshkujt.

Dhe jo, nuk janë vërejtur dallime mes llojeve të kafesë (e bluar, instant apo pa kafeinë), pasi kurba në formë J-je ka mbetur e njëjtë. As variantet gjenetike të pjesëmarrësve, të lidhura me një metabolizëm më të shpejtë ose më të ngadaltë të kafeinës, nuk kanë ndikuar në rezultatet e vëzhguara.

Sipas studiuesve, efekti i mundshëm anti-inflamator dhe qetësues mbi qarqet e trurit që lidhen me humorin dhe stresin mund të vijë nga përbërësit bioaktivë të shumtë që përmban kafeja.

Mekanizma të tillë janë sugjeruar edhe më parë për rolin mbrojtës që kjo pije mund të ketë ndaj sëmundjeve të tjera të trurit.

Në shumë raste, kafeja ka qenë në qendër të kërkimeve biomjekësore, duke u lidhur me një kontroll më të mirë të peshës trupore, me një ulje të rrezikut kardiovaskular dhe me një jetëgjatësi më të madhe, transmeton ATSh.

Shpresa e autorëve është që së shpejti në listën e përfitimeve të përfshihen edhe ato që lidhen me shëndetin mendor. Për momentin nuk ka ende përfundime të sigurta, por vetëm disa indikacione të vlefshme.