Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

Ndikimi i kafesë në kujtesë, disponim dhe shëndetet të zorrëve

Kafeja

Kafeja

Një studim i ri ka zbuluar se kafeja mund të ndikojë pozitivisht në kujtesë, humor dhe shëndetet të zorrëve. Sipas studimit si kafeja me kafeinë ashtu edhe ajo pa kafeinë sjellin përfitime të ndryshme për trurin dhe organizmin, ka shkruar SciTechDaily.

Hulumtimi u realizua nga “APC Microbiome Ireland në University College Cork” dhe u publikua në revistën shkencore “Nature Communications”.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Shkencëtarët studiuan për herë të parë në detaje mënyrën se si kafeja ndikon në të ashtuquajturin “boshti zorrë-tru”, sistemi i komunikimit mes mikrobiomës së zorrëve dhe trurit.

Edhe pse prej kohësh dihet se kafeja mund të ndihmojë tretjen dhe gjendjen emocionale, mekanizmat biologjikë pas këtyre efekteve nuk ishin kuptuar plotësisht.

Në studim morën pjesë 31 persona që pinin rregullisht kafe dhe 31 të tjerë që nuk pinin.

Personat që konsideroheshin konsumues të rregullt pinin nga 3 deri në 5 filxhanë në ditë, një sasi që “European Food Safety Authority” e konsideron të sigurt dhe të moderuar për shumicën e njerëzve.

Studiuesit analizuan dietën, nivelin e stresit, gjendjen emocionale, si dhe mostra të urinës dhe jashtëqitjes për të parë ndryshimet në bakteret e zorrëve.

Më pas, pjesëmarrësit ndaluan konsumimin e kafesë për dy javë. Gjatë kësaj kohe, te konsumuesit e rregullt u vunë re ndryshime të qarta në mikrobiomën e zorrëve.

Pas kësaj periudhe, kafeja u rikthye në mënyrë të fshehtë në studim: gjysma e pjesëmarrësve konsumuan kafe pa kafeinë, ndërsa pjesa tjetër kafe me kafeinë.

Të dy grupet raportuan më pak stres, më pak simptoma depresive dhe ulje të impulsivitetit, duke treguar se kafeja ndikonte pozitivisht në humor edhe pa praninë e kafeinës.

Studimi ka zbuluar gjithashtu se disa baktere të caktuara të zorrëve, si Eggertella sp dhe Cryptobacterium curtum, ishin më të pranishme te personat që pinin kafe.

Këto baktere besohet se ndihmojnë prodhimin e acideve në stomak dhe zorrë, si dhe prodhimin e acideve biliare, procese që mund të ndihmojnë në eliminimin e baktereve të dëmshme dhe uljen e infeksioneve në stomak.

Shkencëtarët vunë re edhe nivele më të larta të baktereve Firmicutes, të cilat janë lidhur me gjendje emocionale më pozitive te gratë.

Një nga gjetjet më interesante ishte se vetëm personat që konsumuan kafe pa kafeinë treguan përmirësim të qartë në të nxënë dhe kujtesë.

Sipas studiuesve, kjo sugjeron se përfitimet për trurin mund të lidhen jo vetëm me kafeinën, por edhe me substanca të tjera në kafe, si polifenolet.

Nga ana tjetër, kafeja me kafeinë u lidh me ulje të ankthit, rritje të vigjilencës dhe përmirësim të përqendrimit.

Kafeina u lidh gjithashtu me rrezik më të ulët të inflamacionit në organizëm.

“Interesi i publikut për shëndetin e zorrëve është rritur shumë. Marrëdhënia mes tretjes dhe shëndetit mendor po kuptohet gjithnjë e më mirë, por mekanizmat pas efekteve të kafesë në këtë lidhje kanë mbetur të paqarta”, ka thënë autori kryesor i studimit, profesori John Cryan.

Ai ka shtuar se kafeja është më shumë sesa vetëm kafeinë, është një faktor kompleks ushqimor që ndërvepron me mikrobet e zorrëve, metabolizmin dhe mirëqenien emocionale.

Sipas tij, gjetjet tregojnë se si kafeja me kafeinë ashtu edhe ajo pa kafeinë mund të ndikojnë në shëndet në mënyra të ndryshme, por plotësuese.