Mjekët që monitorojnë kujdesin ndaj kancerit në Angli dhe Uells janë të shqetësuar se dështimet në shërbimet mjekësore po kontribuojnë në faktin që gati gjysma e pacientëve nuk po marrin trajtimin e duhur për disa lloje kanceri.
BBC ka shkruar se sipas qendrës kombëtare të auditimit të kancerit (NatCan), problemet më të mëdha ndodhin tek kanceri i prostatës, veshkave dhe zorrës së trashë.
Të dhënat kryesore:
30% e pacientëve me kancer të prostatës në fazë të avancuar nuk marrin trajtimin mjekësor të rekomanduar (operacion ose radioterapi), me diferenca të konsiderueshme midis spitaleve.
34% e rasteve me kancer të zorrës së trashë në fazën e tretë nuk marrin kimioterapi brenda tre muajve që nga kryerja e operimit, ndërsa në disa spitale kjo shifër shkon mbi 60%.
50% e pacientëve me kancer të veshkave në fazën e katërt nuk marrin trajtimin me ilaçe, me diferenca që varion nga 20% deri në 85% ndërmjet spitaleve.
Një histori suksesi
Ian Pattison, i diagnostikuar me kancer të prostatës në vitin 2020, mori trajtimin e rekomanduar dhe tani, në moshën 70-vjeçare, kanceri i tij është në remision.
Kjo gjë që do të thotë që shenjat dhe simptomat e kancerit janë zvogëluar ndjeshëm ose janë zhdukur pas trajtimit. Por nuk do të thotë që kanceri është shëruar plotësisht, por se ai nuk është më aktiv ose i dukshëm në trup në atë moment. Pacientët në remision mund të vazhdojnë me kontrolle të rregullta për të siguruar që kanceri nuk kthehet.
“Isha me fat që jetoj pranë një qendre të specializuar ku mora trajtimin më të mirë. Ishte një përvojë e vështirë, por ia vlejti”, ka thënë ai.
Shqetësimet e ekspertëve
Profesori Ajay Aggarwal nga NatCan ka theksuar se mungesa e trajtimit të duhur dhe ndryshimet midis spitaleve janë shqetësuese.
“Ne duhet të punojmë më mirë. Ndonjëherë fokusohemi tek zbulimet e reja, por përmirësimi i shërbimeve aktuale mund të shpëtojë jetë”, ka thënë ai.
Ai ka theksuar se arsyet për këto probleme mund të jenë të shumta, përfshirë supozimet e padrejta për pacientët e moshuar, mungesën e stafit dhe kapacitetit, si dhe mungesën e referimeve drejt qendrave të specializuara.
“Spitalet në Britani kanë qasje në trajtime dhe kujdes ndaj kancerit, por mospërputhja në ofrim të shërbimit bën që shumë pacientë të humbasin mundësinë për trajtimin më të mirë”, ka thënë doktori Tim Mitchell nga Kolegji Mbretëror.
Reagimi i institucioneve
Organizatat e bamirësisë kërkojnë që adresimi i këtyre problemeve të jetë prioritet.
Eve Byrne nga Macmillan Cancer Support gjetjet i ka cilësuar si “tronditëse” dhe ka theksuar se “pacientët duhet të marrin kujdesin e duhur, pavarësisht se ku jetojnë ose cili është spitali i tyre”.
Qeveria britanike ka premtuar strategji të re për trajtimin e kancerit, që do të publikohet më vonë gjatë këtij viti.
“Pacientët duhet të kenë qasje të barabartë në trajtim, pavarësisht vendbanimit të tyre”, ka thënë një zëdhënës i Departamentit të Shëndetësisë.