Lifestyle

Sipas studimit, pabarazia shoqërore lidhet me ndryshime në strukturën e trurit të fëmijëve

Skanimi i trurit

Skanimi i trurit

Shkencëtarët kanë zbuluar se jetesa në shoqëri me pabarazi të lartë shoqërore lidhet me ndryshime strukturore në trurin e fëmijëve, pavarësisht pasurisë individuale të familjes.

Studimi, i kryer me më shumë se 10 mijë fëmijë në SHBA, tregoi se si fëmijët nga familje të pasura dhe ata nga familje me të ardhura më të ulëta, por që jetonin në shtete me hendek më të madh të të ardhurave, kishin zhvillime të ndryshme të trurit, ka raportuar The Guardian.

Këto ndryshime lidhen edhe me shëndet më të dobët mendor.

“Kjo tregon qartë se pabarazia krijon një mjedis toksik shoqëror, i cili në kuptimin e plotë formon mënyrën si zhvillohen mendjet e reja”, thuhet në raportin e studimit.

Studimi u realizua nga ekspertë të King’s College London, Universitetit të Yorkut dhe Universitetit të Harvardit.

Ata analizuan imazhe të trurit me rezonancë magnetike nga 10,071 fëmijë të moshës 9 dhe 10 vjeç, që banojnë në 17 shtete të SHBA-së.

Vendet me pabarazi më të lartë përfshinin New Yorkun, Connecticutin, Kaliforninë dhe Floridën, ndërsa ato me pabarazi më të ulët ishin Utah, Wisconsin, Minnesota dhe Vermont.

Nga imazhet u vëzhguan zona të korteksit, shtresa e jashtme e trurit që lidhet me kujtesën, vëmendjen, emocionet dhe gjuhën.

Rezultatet treguan se fëmijët në shtetet më të pabarabarta kishin sipërfaqe më të vogël të korteksit dhe lidhje të ndryshuara midis rajoneve të trurit, pa dallim nëse vinin nga familje të pasura apo të varfra.

“Kjo nuk ka të bëjë vetëm me të ardhurat e një familjeje, por me mënyrën si shpërndahet pasuria në shoqëri. Si fëmijët nga familje të pasura, ashtu edhe ata nga familje më të varfra treguan zhvillim të ndryshuar të trurit dhe ne kemi vërtetuar se kjo ka ndikim afatgjatë në mirëqenie”, ka thënë doktoresha Divyangana Rakesh nga King’s College London

Studiuesit po ashtu panë se këto ndryshime lidhen me shëndet mendor më të dobët. Pyetësorët e plotësuar kur fëmijët ishin 10–11 vjeç treguan se ata që jetonin në shtete më të pabarabarta kishin probleme më të mëdha me shëndetin mendor.

“Reduktimi i pabarazive nuk është thjesht çështje ekonomike – është një domosdoshmëri shëndetësore publike. Ndryshimet që vumë re në zonat e trurit të përfshira në rregullimin e emocioneve dhe vëmendjes tregojnë se pabarazia krijon një mjedis toksik shoqëror, me pasoja për shëndetin mendor dhe ndikime që mund të zgjasin gjithë jetën”, ka theksuar bashkautorja e studimit profesoresha Kate Pickett nga Universiteti i Yorkut.

Sipas Rakesh, zgjidhjet mund të përfshijnë politika më progresive.

“Tatimi progresiv, rrjetet më të forta sociale dhe kujdesi shëndetësor universal mund të ndihmojnë në uljen e stresit që i prek fëmijët në shoqëritë më të pabarabarta. Investimet në komunitete dhe infrastrukturë publike po ashtu mund të zbusin efektet e dëmshme duke nxitur besim dhe kohezion shoqëror”, ka thënë Rakesh.

Ajo ka shtuar se studime të ngjashme duhet të bëhen edhe në vende të tjera.

“Jemi të interesuar të shohim se si këto gjetje krahasohen në pjesë të tjera të botës.

Për shembull, disa zona në Britani karakterizohen nga pabarazi e lartë, si Londra, ku jetojnë njëkohësisht shumë të pasur dhe shumë të varfër.