Lifestyle

Ndalja e përdorimit të antidepresantëve duhet të bëhet me faza

(BBC) - Sipas Institutit Kombëtar për Përsosmërinë e Shëndetit dhe Kujdesit (NICE), reduktimi i dozës së antidepresantit duhet të bëhet në faza me ndihmën e një profesionisti mjekësor.

Instituti bën të ditur se kjo ndihmon në menaxhimin e simptomave të tërheqjes që mund të shfaqen nga ilaçet.

NICE ka publikuar informacione të reja që tregojnë se si mund të përmirësohet kujdesi për shëndetin mendor në Angli dhe Whales.

Një komitet ekspertësh ka bërë të ditur se shërbimet e kujdesit në komunitet duhet të punojnë me pacientët për të rënë dakord për një plan trajtimi.

Kjo përfshin vlerësimin nëse është e drejtë që ata të heqin dorë nga mjekimi dhe në cilën periudhë kohore duhet të bëhet tërheqja.

Një sugjerim tjetër është që vëmendje shtesë duhet t’u kushtohet të rriturve me prejardhje etnike të pakicave që kanë depresion.

Ai vjen pasi të dhënat digjitale të NHS-së nga viti 2021 kanë treguar se 57% e njerëzve me prejardhje familjare të përzier, afro-amerikanë, të racës së zezë në Britani, aziatik dhe britanik-aziatik, përfunduan një kurs trajtimi për depresionin krahasuar me 64% të njerëzve me prejardhje të bardhë familjare.

Sugjerimi është që shërbimet e shëndetit mendor të ofrohen në një mënyrë që është kulturalisht e përshtatshme dhe që barrierat gjuhësore gjithashtu të hiqen.

Sipas NHS-së, recetat e antidepresantëve arritën një maksimum historik në vitin 2022, me 8.3 milionë njerëz që i përdorën në Angli.

Statistikat tregojnë gjithashtu se rreth një në gjashtë të rritur të moshës 16 vjeç e lart në Mbretërinë e Bashkuar kanë përjetuar një formë depresioni në verën e vitit 2021, me shkallën që mbeti më e lartë se përpara pandemisë së koronavirusit dhe izolimeve.

Metoda të ndryshme

Rekomandimet janë përveç atyre paraekzistuese për menaxhimin e depresionit tek të rriturit, të cilat u përditësuan për herë të fundit në nëntor të vitit 2021.

NICE ka sugjeruar atëherë që njerëzve me depresion të lehtë t’u ofrohet terapi e sjelljes ose ushtrime në grup përpara se të diskutohet mjekimi.

Dr. Paul Chrisp, i cili është përgjegjës për udhëzimet e NICE, ka thënë: “Në shumë raste, njerëzit përjetojnë simptoma të tërheqjes dhe kohëzgjatja e kohës që u duhet atyre për të hequr qafe këto barna mund të ndryshojë, kjo është arsyeja pse deklarata e dobishme dhe e përdorshme e komitetit tonë për një tërheqje të shkallëzuar me kalimin e kohës nga këto barna është për t’u mirëpritur.

“Por duhet theksuar se nuk ka një qasje të vetme për të hequr qafe ilaçet kundër depresionit”, ka shtuar ai.

Në përgjigje të propozimeve prof Allan Young nga Qendra për Çrregullime Afektive, Instituti i Psikiatrisë, Psikologjisë dhe Neuroshkencës është shprehur: “Ka kuptim të plotë që udhëzimet për trajtimin e depresionit tek të rriturit - të cilat u botuan në qershor të vitit të kaluar - të ndiqen.

“Nëse mund të dorëzohet duke pasur parasysh gjendjen aktuale të NHS-së është tjetër çështje”.

John Junior, 34 vjeç, filloi të merrte ilaçet kundër depresionit në vitin 2017 pasi u diagnostikua me depresion dhe çrregullim ankthi të përgjithësuar.

Duke rritur gradualisht dozën e tij të sertralinës, ai thotë se ilaçi “me të vërtetë kishte ndihmuar” në frenimin e mendimeve për vetëvrasje që kishte pasur.

Megjithatë, ai i pa të padurueshme efektet anësore.

“Vuaja nga rrahjet e zemrës, që është efekt anësor i tmerrshëm, dhe kisha të gjitha llojet e dhimbjeve të kokës, migrenës, ankthit më të rëndë dhe gjëra të tjera, madje edhe presionin e lartë të gjakut”, ka treguar ai.

“Dhe më pas do të më përshkruanin më shumë medikamente për të provuar t’i maskoja efektet e tjera anësore që po përjetoja.

“Arriti në pikën ku mendova se do të varesha plotësisht nga ilaçet kundër depresionit”, ka theksuar ai.

Gjatë izolimit të koronavirusit ai vendosi të hiqte dorë nga mjekimi, por nuk mundi të bisedonte me mjekun e tij.

“Telefoni ishte gjithmonë i zënë – gjë që e bëri vërtet të vështirë.

“Po përjetoja gjithnjë e më shumë efekte anësore dhe thjesht nuk po funksiononte për mua, trupi im arriti njëfarë kufiri dhe thjesht e dija se duhej të largohesha prej tyre”.

Ai thotë se mospërdorimi i shpejtë i shkaktoi “sëmundje, dhimbje koke, ankth të papërpunuar, djersitje dhe net pa gjumë” dhe e krahasoi atë me “një hangover të vazhdueshëm pesë herë radhazi”.

John ka thënë se po e kalon më mirë kohën që nga largimi i antidepresantëve duke u marrë me palestër dhe meditim për ta mbajtur nën kontroll shëndetin e tij mendor.

Ai e mirëpret udhëzimin e ri të NICE-s dhe thotë: “Mendoj se të kesh një plan individual do të ishte ide e shkëlqyer, sepse do t’u jepte njerëzve atë strukturë. Dhe të kesh atë komunikim dhe siguri nga profesionistët mjekësorë do të ishte akoma më mirë”.

Stephen Buckley nga shoqata bamirëse e shëndetit mendor Mind, thotë: “Mjekimi i ndihmon disa njerëz, por nuk është gjithmonë i duhuri për të tjerët.

“Nëse jeni duke marrë ilaçe për shëndetin tuaj mendor mund të arrini një pikë ku dëshironi të ndaloni marrjen e tyre.

“Ne sugjerojmë fuqimisht të flisni me mjekun tuaj ose ekipin e shëndetit mendor nëse po mendoni të tërhiqeni nga mjekimi juaj, dëshironi të ndryshoni mjekimin ose jeni duke përjetuar simptoma të tërheqjes, në mënyrë që të mund të mbështeteni për të hequr ose ndryshuar mjekimin tuaj në mënyrë të sigurt”.

Përktheu: Blerta Haxhiu