Shkencëtaret kanë bërë një studim të ri në lidhje me zhvillimin e simptomave të depresionit. Ata kanë gjetur se personat që jetojnë në mënyrë të shëndetshme, ka më pak gjasë të preken nga depresioni.
Në këtë studim për një periudhë nëntëvjeçare janë përcjellë të dhënat e rreth 290 mijë personave, nga të cilët 13 mijë ishin të diagnostikuar me depresion.
Ekipi ka identifikuar shtatë faktorë të shëndetshëm të jetesës, që sipas tyre mund të ndihmojnë në uljen e rrezikut për t’u prekur nga depresioni.
Konsumi i moderuar i alkoolit, të ushqyerit shëndetshëm, aktiviteti fizik i rregullt, gjumi i shëndetshëm, mospirja e duhanit, mosqëndrimi ulur dhe lidhjet shoqërore, janë faktorët që janë identifikuar, shkruan NeuroScienceNeës.
Ky hulumtim gjithashtu nënvizon rëndësinë e jetesës së shëndetshme për parandalimin, pavarësisht rrezikut gjenetik që ka një person për t’u prekur nga depresioni.
Ekipi ka zbuluar se mënyra e shëndetshme e jetesës e ulë rrezikun e depresionit edhe te personat me rrezik gjenetik të lartë, të mesëm dhe të ulët për depresion.
"Edhe pse ADN-ja jonë, gjenetika që na është dhënë, mund të rrisë rrezikun tonë të depresionit, ne kemi treguar se një mënyrë jetese e shëndetshme është potencialisht e rëndësishme”, ka thënë profesoresha e departamentit psikiatrik të Universitetit të Cambridge-it, Barbara Sahakian.
Për të kuptuar më mirë se si ndikon mënyra e shëndetshme e jetesës në depresion studiuesit shikuan një mori faktorësh si neuronet e trurit, ekspozimin ndaj stresit, qarkullimin e gjakut, metabolizmin, gjëndrat, trigliceridet e energjinë trupore.
Stili i jetesës ndikon drejt për së drejti në sistemin imunitar dhe metabolik, që do të thotë se nëse këto nuk funksionojnë mirë atëherë rreziku për depresion ka më tepër gjasa të rritet.
"Ne e dimë se depresioni mund të fillojë që në adoleshencë ose në moshën e rritur, kështu që edukimi i të rinjve mbi rëndësinë e një stili të shëndetshëm jetese dhe ndikimin e tij në shëndetin mendor duhet të fillojë në shkolla", ka thënë studiuesi Jianfeng Feng, që është profesor në dy universitete. (Përgatiti: Vita Abrashi -Kajtazi)