Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

Shkencëtarët britanikë po shqyrtojnë trajtimin e depresionit përmes imunoterapisë

Imunoterapia

Shkencëtarët në Britani po shqyrtojnë një qasje të re për trajtimin e depresionit duke përdorur imunoterapi, sipas rezultateve të një prove klinike të hershme, ka shkruar The Guardian.

Studiues nga University of Bristol kanë testuar nëse ilaçi tocilizumab, i cili përdoret zakonisht për sëmundje inflamatore si artriti reumatoid, mund të ndihmojë pacientët me depresion që nuk reagojnë ndaj antidepresantëve standardë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Rreth një e treta e personave me depresion nuk përmirësohen me trajtimet ekzistuese, të cilat kryesisht fokusohen në kimikatet e trurit, teksa në Britani, rreth një në gjashtë të rritur përjeton simptoma të moderuara deri të rënda të depresionit gjatë jetës.

Tocilizumab vepron duke bllokuar receptorin IL-6R, duke ndaluar sinjalet inflamatore që lidhen me sëmundjet autoimune dhe, sipas studiuesve, mund të kenë rol edhe në depresion.

Në studim morën pjesë 30 persona me depresion të moderuar deri në të rëndë, të cilët nuk kishin reaguar mirë ndaj trajtimeve standarde.

Ata u ndanë në dy grupe: njëri mori tocilizumab dhe tjetri placebo për katër javë.

Ani pse studimi ishte i vogël dhe nuk arriti rezultat statistikisht reprezentues, pjesëmarrësit që morën tocilizumab treguan përmirësime më të mëdha në disa fusha, përfshirë ashpërsinë e depresionit, lodhjen, ankthin dhe cilësinë e jetës.

Profesori Golam Khandakar, autor kryesor i studimit, e ka cilësuar këtë studim si një “moment të rëndësishëm” për zhvillimin e trajtimeve të reja për depresionin e vështirë për t’u trajtuar.

“Kjo është një nga provat e para të rastësishme të kontrolluara që teston imunoterapinë për depresionin, i pari që teston IL-6R si objektiv trajtimi, dhe i pari që përdor një qasje të synuar për të përzgjedhur pacientët që kanë më shumë gjasa të përfitojnë, dhe për të treguar se funksionon”, ka shtuar Khandakar, i cili është studiues në njësinë MRC për epidemiologji integruese në universitet.

Sipas të dhënave të studimit, rreth 54 për qind e pacientëve që morën tocilizumab arritën të zbehin simptomat, krahasuar me 31 për qind në grupin placebo.

Studiuesit theksuan se ani pse numri i pjesëmarrësve ishte i vogël, rezultatet japin shenja premtuese se trajtimet që synojnë sistemin imunitar mund të ndihmojnë në uljen e simptomave të depresionit.

Sipas doktoreshës Eimear Foley, këto gjetje mund të çojnë drejt një modeli më të personalizuar të trajtimit të depresionit, ku terapia zgjidhet sipas biologjisë së pacientit, duke synuar “trajtim të duhur për personin e duhur në kohën e duhur”.

“Studimi ynë na afron më shumë me një kujdes më të personalizuar për depresionin, ku trajtimet zgjidhen në mënyrë që të përshtaten më mirë me biologjinë e një personi”, ka thënë ajo.