Një ilaç i ri që mund të vonojë shfaqjen e diabetit të tipit 1 është vënë në dispozicion për herë të parë nga shërbimi shëndetësor publik në Britani dhe Uells, duke u konsideruar një përparim i madh në trajtimin e kësaj sëmundjeje, ka shkruar BBC.
Ilaçi, i quajtur teplizumab, është një formë imunoterapie që mund t’u japë pacientëve deri në tre vjet shtesë pa simptoma dhe pa nevojën për trajtim të përditshëm me insulinë.
Diabeti i tipit 1 shkaktohet kur sistemi imunitar sulmon gabimisht qelizat e pankreasit që prodhojnë insulinë. Personat e prekur duhet të monitorojnë vazhdimisht nivelin e sheqerit në gjak dhe të marrin insulinë gjatë gjithë jetës.
Karen Addington, drejtoreshë e organizatës Breakthrough T1D, e quajti zhvillimin historik.
“Nëse do të ishte fëmija juaj ose dikush që e doni, do të dëshironit të bënit gjithçka për t’i dhënë më shumë vite pa barrën e përditshme të kësaj sëmundjeje të pamëshirshme. Tani kemi një trajtim që mund ta bëjë këtë të mundur”, ka thënë ajo.
Edhe
Shkencëtarët britanikë po shqyrtojnë trajtimin e depresionit përmes imunoterapisë
Ilaçi duhet të jepet para shfaqjes së simptomave, pasi analizat e gjakut të tregojnë se sistemi imunitar ka filluar të sulmojë pankreasin.
Një nga fëmijët që e ka marrë trajtimin është Dima Boichak, i cili u identifikua si person me rrezik të lartë për zhvillimin e diabetit përmes një studimi kërkimor në Britani.

Nëna e tij, Elena, ka thënë se trajtimi kërkonte infuzione për 14 ditë rresht në spital, por beson se sakrifica ia vlejti.

“Dhurata më e madhe që na jep teplizumab është koha, koha që ai të jetë thjesht një fëmijë normal dhe të jetojë një jetë normale. Kjo është e mrekullueshme për të dhe për mua si nënë”, u shpreh ajo.
Përfaqësuesit e Institutit Kombëtar për Shëndetin dhe Kujdesin (NICE), kanë vlerësuar se rreth 1.100 fëmijë dhe të rritur mund të përfitojnë nga ky trajtim gjatë vitit të parë.
Edhe
Barnat e diabetit mund të ndihmojnë kundër ankthit e depresionit
“Për herë të parë kemi një trajtim që u jep njerëzve të diagnostikuar në fazat e hershme kohë të çmuar shtesë para se të përballen me kërkesat e plota të kësaj sëmundjeje”, ka thënë Helen Knight, drejtoreshë e vlerësimit të barnave në NICE.
Ekspertët shpresojnë se në të ardhmen kombinime të ngjashme imunoterapish mund të parandalojnë plotësisht nevojën për insulinë te disa pacientë me diabet të tipit 1.