Lifestyle

Ilaçi i ri revolucionar ul sheqerin në gjak dhe djeg yndyrën pa humbur muskuj

Ilaçet

Ilaçet

Një studim i ri shkencor që është publikuar në revistën shkencore Cell, sjell lajme premtuese për personat që jetojnë me diabet të tipit 2 dhe obezitet. 

Studiues nga Instituti Karolinska dhe Universiteti i Stokholmit kanë zhvilluar një ilaç në formë tablete që ul nivelin e sheqerit në gjak dhe rrit djegien e yndyrës, pa ulur oreksin dhe pa dëmtuar masën muskulore.

Ndryshe nga barnat e njohura si Ozempic, të cilat veprojnë përmes trurit dhe sistemit tretës duke ulur oreksin dhe që zakonisht merren me injeksion, ky ilaç vepron drejtpërdrejt në muskuj.

Kjo e bën atë të ndryshëm, pasi shmang efektet anësore të shpeshta si të përzierat, problemet me stomakun dhe humbjen e muskujve, ka shkruar Brighter Side.

Si funksionon ilaçi?

Ilaçi bazohet në një molekulë të quajtur beta-2 agonist, e përmirësuar në laborator për të vepruar në muskujt skeletorë pa ndikuar negativisht në zemër. Muskujt luajnë rol të rëndësishëm në kontrollin e sheqerit në gjak dhe në shëndetin e përgjithshëm, ndërsa masa e mirë muskulore lidhet edhe me jetëgjatësinë.

Në testimet te kafshët, ilaçi përmirësoi nivelin e sheqerit në gjak, rriti djegien e yndyrës dhe ruajti masën muskulore. Oreksi nuk u ul dhe nuk u shfaqën probleme me tretjen. Edhe testimet e hershme te njerëzit dhanë rezultate pozitive.

Në fazën e parë klinike, 48 persona të shëndetshëm dhe 25 persona me diabet të tipit 2 e toleruan mirë ilaçin, pa shqetësime serioze shëndetësore.

“Rezultatet tona tregojnë një të ardhme ku mund të përmirësojmë shëndetin metabolik pa humbur masën muskulore”, ka thënë Tore Bengtsson, profesor në Universitetin e Stokholmit.

Ai ka theksuar se shëndeti i muskujve është thelbësor për diabetin, obezitetin dhe jetëgjatësinë.

Pse muskujt kanë kaq shumë rëndësi?

Kur niveli i sheqerit në gjak është i lartë, muskujt e kanë më të vështirë të përthithin glukozën, gjë që rrit rrezikun për sëmundje të zemrës dhe dëmtime nervore.

“Shumë trajtime fokusohen vetëm në uljen e nivelit të sheqerit, duke anashkaluar ndikimin në muskuj. Ky ilaç e ndryshon këtë qasje”, ka shpjeguar Bengtsson.

Sipas Shane C. Wright, profesor ndihmës në institutin Karolinska, ky ilaç mund të ndryshojë ndjeshëm përvojën e pacientëve.

“Ky është një trajtim krejtësisht i ri dhe mund të ketë rëndësi të madhe për pacientët me diabet të tipit 2 dhe obezitet”, ka thënë ai, duke shtuar se ilaçi merret në formë tablete, jo me injeksion.

Një tjetër avantazh është se ky ilaç mund të përdoret edhe bashkë me barnat GLP-1, pasi vepron në një mekanizëm tjetër. Kjo mundëson rezultate më të mira pa shtuar efektet anësore.

“Mund të përdoret si trajtim i vetëm ose në kombinim me GLP-1”, ka thënë Wright.

Çfarë pritet më tej?

Hapi i radhës është një studim klinik më i madh (faza II), i cili do të testojë efektin afatgjatë te personat me diabet të tipit 2 dhe obezitet. Studimi do të zhvillohet nga kompania Atrogi AB.

Nëse rezultatet konfirmohen, ky ilaç mund të sjellë një ndryshim të madh në trajtimin e diabetit dhe obezitetit, duke përmirësuar sheqerin në gjak, duke ruajtur forcën fizike dhe duke mbështetur plakjen e shëndetshme.