Lifestyle

Medikamentet për humbje peshe shkaktojnë komplikime gjatë operacioneve

Doktorët kanë paralajmëruar se medikamentet për humbje peshe mund të shkaktojnë probleme gjatë ndonjë operacioni

Pacientët që marrin ilaçe si “Wegovy” ose “Ozempic” për humbje peshe mund të përballen me komplikime kërcënuese për jetën nëse kanë nevojë për operacion ose procedura të tjera që kërkojnë të keni stomak bosh për anestezi.

Disa anestezistë në SHBA dhe Kanada thonë se kanë parë një numër gjithnjë e më të madh pacientësh të cilët përdorin barna për humbje peshe, të cilët inhaluan ushqim dhe lëng në mushkëri, ndërsa ishin nën efektin anestezionit, sepse stomaku i tyre ishte ende plot edhe pasi ndoqën udhëzimet standarde për të ndaluar ngrënien për gjashtë deri në tetë orë përpara, ka shkruar “pbs.org”.

“Ilaçet ngadalësojnë tretjen aq shumë sa i vë pacientët në rrezik më të madh për problemin, të quajtur aspirata pulmonare, e cila mund të shkaktojë dëmtime të rrezikshme të mushkërive, infeksione e madje edhe vdekje”, tha Dr. Jon Hobai, anestezist në Spitalin e Përgjithshëm të Masaçusetsit në Boston.

Doktori Jon Hobai ka treguar se ka pasur shumë pacientë që nuk u është zbrazur stomaku edhe pas 10 orësh mosngrënie.

Në Chapel Hill, Karolinën e Veriut, një grua 31-vjeçare me një dozë të ulët “ozempic” kishte agjëruar për 10 orë përpara një endoskopie rutinë para operacionit bariatrik vjeshtën e kaluar. Procedura duhej ndaluar sepse ushqimi i fortë mbeti në stomakun e saj dhe ajo ishte në rrezik të lartë për frymëmarrje, thoshte raporti i operacionit.

Që atëherë, mjekët kanë parë dhjetëra raste të ngjashme ndërsa përdorimi i mjekimit për humbje peshe është rritur, tha Dr. Elisa Lund, anesteziste në Universitetin e Karolinës së Veriut në “Chapel Hill School of Medicine”. "Ajo është rritur në mënyrë eksponenciale," tha ajo.

Edhe ndalimi i ilaçeve për tre javë mund të shkaktojë ende probleme. Pacientët me diabet do të kenë nevojë për një mënyrë tjetër për të kontrolluar sheqerin e tyre në gjak dhe ata që kërkojnë të humbin peshë mund të rifitojnë disa, tha Hobai.

Hobai sugjeron që njerëzit që përdorin “Wegovy” dhe ilaçe të ngjashme t'u thonë mjekëve të tyre para marrjes së anestezionit (apo procedurës se sedacionit) dhe të diskutojnë rreziqet dhe përfitimet.

"Nëse jeni duke marrë këtë ilaç dhe keni nevojë për një operacion, ju do të duhet të ndërmerrni disa masa paraprake shtesë," tha ai.

Përgatiti: Vita Abrashi -Kajtazi