Londër, 4 mars – Rreziku nga vdekja prej sëmundjes COVID-19 është afro 10 herë më i lartë në vendet ku pjesa dërrmuese e popullsisë është me mbipeshë, ka treguar të enjten një raport i Forumit Botëror të Obezitetit.
Studiuesit kanë zbuluar se nga fundi i vitit 2020 shkalla globale e vdekjeve nga COVID-19 ishte 10-fish më e lartë në vendet ku rreth gjysma e të rriturve ishin me mbipeshë, krahasuar me vendet në të cilat më pak se gjysma e njerëzve e kishin problemin e peshës së tepërt.
Ekipi i ka ekzaminuar të dhënat e vdekshmërisë nga Universiteti Johns Hopkins dhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, me ç’rast ka zbuluar se 2.5 milionë vdekje nga COVID-19 ishin raportuar nga fundi i shkurtit, prej të cilave 2.2 milionë ishin në vendet ku më shumë se gjysma e popullsisë ishin në mbipeshë.
Në një analizë të të dhënave dhe studimeve nga më shumë se 160 vende, studiuesit kanë zbuluar se shkalla e vdekshmërisë si pasojë e COVID-19 ishte rritur bashkë me shifrat e obezitetit të vendeve specifike.
Raporti ka zbuluar gjithashtu se çdo vend ku më pak se 40 për qind e popullsisë ishte me mbipeshë kishte shkallë më të ulët të vdekjeve nga COVID-19, nga jo më shumë se 10 njerëz për çdo 100.000. Por, në vendet ku më shumë se 50 për qind e popullsisë ishte me mbipeshë, shkalla e vdekshmërisë nga sëmundja pandemike ishte më e lartë – më shumë se 100 në çdo 100.000 persona.
Studiuesit kanë bërë të ditur se të qenët me mbipeshë mund t’i përkeqësojë problemet me shëndetin dhe infeksionet virale, si H1N1, gripi dhe sindroma respirator e Lindjes së Mesme.
Forumi Botëror i Obezitetit ka sugjeruar t’u jepet prioritet për testim dhe vaksinim personave që janë obezë.
“Një popullsi me mbipeshë është popullsi e pashëndetshme dhe tani jemi në mesin e një pandemie”, ka shkruar grupi.
Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, afër tri e katërta e popullsisë është ose me mbipeshë ose obeze, kanë treguar të dhënat e qendrave amerikane për parandalim dhe kontrollim të sëmundjeve.