Lifestyle

Labubu, nga një kukull e çuditshme në ikonë globale të stilit dhe kulturës pop

Kukullat Labubu

Kukullat Labubu

Foto: Associated Press

Të famshmit që e bënë të famshme Labubun

Kohëve të fundit është bërë e famshme kukulla me veshë të mëdhenj, sy të rrumbullakët dhe buzëqeshje paksa djallëzore, që quhet Labubu. Kjo kukull është kthyer në një fenomen botëror, që sot përfaqëson shumë më tepër se një lodër: ajo është simbol stili, nostalgjie dhe ndikimi.

Kukulla Labubu është krijuar nga artisti tajvanez Kasing Lung, një ilustrues i njohur për botën e karaktereve të veçanta që krijon. Ajo është pjesë e serisë “The Monsters”, të realizuar në bashkëpunim me kompaninë “Pop Mart”, gjigantin aziatik të lodrave koleksionuese. Pop Mart përdor sistemin e kutive “blind box”, ku nuk e di se cilën version të kukullës po blen, çka e bën përvojën edhe më emocionuese për koleksionistët.

Krijuesi i Labubus, Kasing Lung

Para se bota ta zbulonte Labubu-n, fama e tij ishte e kufizuar vetëm në Kinë. BBC ka shkruar se kukulla filloi të bëhej hit pikërisht kur vendi po dilte nga pandemia, në fund të vitit 2022, sipas Ashley Dudarenok, themeluese e firmës studiuese të fokusuar në Kinë, ChoZan.

“Pas pandemisë, shumë njerëz në Kinë ndienë nevojën për t’u larguar emocionalisht nga realiteti… dhe Labubu ishte një personazh shumë tërheqës, por edhe kaotik. Kukulla mishëronte atë ndjenjën e kundër-perfeksionizmit”, ka thënë ajo.

Interneti në Kinë, i madh dhe tejet konkurrues, prodhon shumë trende virale që rrallëherë kapërcejnë kufijtë. Por ky rast ishte ndryshe: popullariteti i Labubus u përhap shpejt në të gjithë Azinë Juglindore.

Fiona, një vajzë që jeton në Kanada, ka thënë se për herë të parë dëgjoi për Labubun nga disa miq filipinas në vitin 2023. Aty nisi të blejë figurat, i dukeshin të lezetshme, por ajo që e shtyu më shumë ishte fama gjithnjë në rritje.

“Sa më i popullarizuar bëhet, aq më shumë dua ta kem. Burri im nuk e kupton fare se pse unë, një grua në të 30-at, fiksohem kaq shumë pas diçkaje të tillë, sa që më intereson edhe ngjyra që do të blej”, ka thënë ajo.

Ajo që e bëri Labubun të shpërthejë në famë globale ishte përdorimi i saj nga disa prej figurave më të njohura të showbizit. Gjithçka nisi kur Rihanna u fotografua me një Labubu në çantë krahu, gjatë një daljeje në New York. Me stilin e saj të zakonshëm, ajo e prezantoi kukullën si një aksesor të përditshëm, jo thjesht një lodër.

Rihanna me Labubu

Edhe shqiptaret me famë botërore, Dua Lipa e Rita Ora, janë parë me Labubun nëpër çantat e tyre.

Dua Lipa dhe Rita Ora me Labubu

Pas saj edhe të famshëm të tjerë si Lisa nga grupi K-Pop, BLACKPINK, e cila publikoi në llogarinë e saj në rrjetin social Instagram një foto me Labubu në Aeroplan. 

Lisa e grupit BlackPink me Labubu


Personazhe të tjerë të famshëm si reperja Doja Cat, artisti Pharrell Williams, ylli televiziv Kylie Jenner dhe ylli Bella Poarch e përfshinë Labubun nëpër video, paraqitje në ngjarje të rëndësishme të botës së modës apo postime në rrjete sociale.

Edhe vajza e Kylie Jenner, Stormi, ka një koleksion të vogël me kukullat në fjalë.

Kjo vëmendje e vazhdueshme nga yjet botërorë e ka kthyer Labubun në një trend të fuqishëm që ka pushtuar edhe TikTok-un dhe Instagramin, me miliona video me tematikë “unboxing”, stilime kreative dhe transformime artistike.

As vendet e rajonit nuk kanë mbetur prapa me trendin pasi edhe fëmijët e edhe influencerët po e përdorin kukullën.

Nuk dihet se çka e ka shkaktuar obesionin me Labubun, ashtu si shumica e trendeve virale, tërheqja nga kjo kukull,  është e vështirë të shpjegohet. Sipas BBC kjo është rezultat i kohës së duhur, shijeve të momentit dhe rastësisë së internetit.

Pekini, sidoqoftë, është shumë i kënaqur me këtë sukses. Agjencia shtetërore e lajmeve “Xinhua” ka deklaruar se Labubu tregon fuqinë tërheqëse të kreativitetit, cilësisë dhe kulturës kineze, në një gjuhë që sipas tyre, bota mund ta kuptojë, duke i dhënë gjithashtu mundësinë të njohë “një Kinë të re dhe të ftohtë”.

Sipas “Xinhua”, ka edhe shembuj të tjerë që tregojnë se pronat kulturore kineze po bëhen globale, sikur videoloja “Black Myth: Wukong” dhe filmi i animuar shumë i suksesshëm “Nezha”.

Lexo edhe :
Kompania që qëndron pas kukullës Labubu regjistron fitime historike - KOHA.net