Edhe pse Kina së fundmi ka shënuar rënie të rasteve lokale të bartjes së koronavirusit, rastet e importuara kanë shtuar frikën për një valë të re shpërthimit. Bartësit që nuk shfaqin simptoma janë bërë shqetësim tjetër i madh për valën e re potenciale.
Sipas të dhënave të fundit, të dielën në Kinë janë shfaqur 61 raste asimptomatike të importuara nga jashtë. Vendi po monitoron më shumë se njëmijë raste asimptomatike.
Këto janë katër gjërat e rëndësishme, sipas agjencisë “xinhuanet”, që duhet të kuptoni për bartësit asimptomatikë të koronavirusit:
Sa infektues janë?
“Infektimi i bartësve asimptomatikë varet nga situata të ndryshme. Nëse raste të tilla gjenden pas një periudhe të gjatë izolimi në Wuhan, infektimi është shumë i vogël. Nëse një bartës asimptomatik i koronavirusit gjendet në mesin e të kthyerve nga vendet ku epidemia është serioze, infektimi mund të jetë shumë i lartë”, ka thënë Wei Sheng, profesor në Universitetin Huazhong.
Sipas Tong Zhaohui nga spitali i Pekinit “Chao-Yang”, ka dy tipa të infeksioneve asimptomatike. “Një është pri-simptomatikë – referuar pacientëve që s’kanë asnjë simptomë, por janë në periudhë inkubacioni. Këta duhet të bëjnë skanimin dhe të menaxhohen si raste të konfirmuara. Grupi tjetër është me njerëz që s’kanë simptoma fare e as ndryshime patologjike në skanime. Këta janë bartësit e vërtetë asimptomatikë. S’janë pacientë, por vetëm testohen pozitivë”, ka thënë Tong.
Sipas Tongut, pacientët asimptomatikë kanë më pak shanse për të infektuar të tjerët, por nuk është që s’kanë fare.
A do të shkaktojnë tjetër epidemi rastet asimptomatike?
Udhëtimet nga jashtë ishin pezulluar pas 76 ditësh në Wuhan, epiqendrën e koronavirusit në Kinë më 8 prill, dhe vëmendja që nga ajo kohë është fokusuar në rrezikun e bartjes nëpër vendet e punës.
“Infeksioni asimptomatik nuk është produkt special i COVID-19. Të gjitha sëmundjet infektive kanë një proporcion të infeksioneve asimptomatike dhe bartësit asimptomatikë në asnjë nga këto raste s’kanë shkaktuar shpërthim në masë në shoqëri”, ka thënë Tong.
Sipas tij, hulumtimet në rastet e epidemive të SARS-it dhe koronavirusit të ri kanë dëshmuar se asimptomatikët kanë infektim të limituar dhe nuk do të shkaktojnë bartje në masë të madhe. Ai ka shtuar se rreziku mund të kontrollohet përderisa implementohen të gjitha masat parandaluese nga shtetet.
Li Qun, drejtor i Qendrës Emergjente në Qendrën për Kontroll dhe Preventivë, ka thënë se janë ndërmarrë përgatitjet për të vazhduar punën dhe prodhimin, në mënyrë që rreziku i bartjes të jetë i kontrolluar vazhdimisht edhe nga popullata.
Si të bëhet skanimi dhe menaxhimi i bartësve asimptomatikë?
Janë katër burime të rasteve asimptomatike të gjetura në Wuhan – kontakte të afërta të pacientëve të konfirmuar, pacientë të rregullt, punonjës të skanuar para vazhdimit të punës si dhe ata të skanuar para largimit nga Wuhani.
“Bartësit asimptomatikë duhet të mbikëqyren e të kenë masa të njëjta karantine e shëndetësore sikur rastet e konfirmuara”, ka thënë Li, që ka shtuar se bartësit asimptomatikë duhet të vihen nën kontroll të vazhdueshëm mjekësor për 14 ditë dhe të transferohem menjëherë në spitale, nëse shfaqin simptoma.
“Ata duhet të dalin dy herë negativë në teste pas mbikëqyrjes mjekësore dhe t’u jepet urdhri për izolim dyjavësh. Kontaktet e afërta duhet të jenë nën mbikëqyrje të plotë mjekësore”, ka shtuar ai.
Çfarë mund të bëhet kur ka bartës asimptomatikë?
Shumica e bartësve asimptomatikë u gjetën nga kontakte të afërta të pacientëve të konfirmuar.
“Andaj, njerëzit që nuk u janë ekspozuar pacientëve me koronavirus nuk pritet të kenë infeksione dhe s’ka nevojë për panik”, ka thënë Tong.
“Më e rëndësishmja është të merren masat e duhura parandaluese”, ka deklaruar Li.
Nuk ka nevojë për ata që s’kanë simptoma apo raste kontakti të konfirmuar me COVID-19 që të testohen, sipas ekspertëve. Ata shtojnë se higjiena duhet të vazhdohet të mbahet edhe pas epidemisë.
“Duhet të rrimë të alarmuar dhe të shmangin sjelljet që mund të jenë të gabuara sikur kruarja e syve pas prekjes së maskës”, ka shtuar Li.