Hulumtuesi kryesor i misionit të OBSH-së, Peter Ben Embarek, ka thënë se misioni ka gjetur disa shenja të përhapjes shumë më të gjerë më 2019, si dhe ka konstatuar për të parën herë se aty ka pasur me dhjetëra shpërthime të virusit që në dhjetor. Ekipi ka pasur gjithashtu rastin që të flasë me pacientin që parë të infektuar, të identifikuar nga zyrtarët kinezë
Gjenevë, 14 shkurt (CNN) – Hulumtuesit e Organizatës Botërore të Shëndetësisë që kanë kryer kërkime mbi origjinën e koronavirusit në Kinë kanë zbuluar shenja se shpërthimi ka qenë shumë më i gjerë në Wuhan gjatë dhjetorit të 2019-s sesa që mendohej më herët dhe kanë kërkuar qasje urgjente në qindra mijëra mostra gjaku nga qyteti, të cilat nuk janë lejuar që të ekzaminohen.
Hulumtuesi kryesor i misionit të OBSH-së, Peter Ben Embarek, ka thënë në një adresim për CNN se misioni ka gjetur disa shenja të përhapjes shumë më të gjerë më 2019, si dhe ka konstatuar për të parën herë se aty ka pasur me dhjetëra shpërthime të virusit që në dhjetor. Ekipi ka pasur gjithashtu rastin që të flasë me pacientin e parë të infektuar, të identifikuar nga zyrtarët kinezë. Fjala është për një zyrtar në të 40-tat, pa ndonjë historik udhëtimi, i cili kishte rezultuar si i infektuar më 8 dhjetor.
Shpalosja e ngadaltë e të dhënave më të hollësishme të mbledhura gjatë udhëtimit të shumëpritur të OBSH-së në Kinë i rrit shqetësimet e shprehura nga shkencëtarët e tjerë lidhur me faktin se sëmundja mund të jetë përhapur në Kinë shumë kohë para shfaqjes fillestare zyrtare në mes të dhjetorit.
Embarek, i cili porsa është kthyer në Zvicër nga Wuhani, në deklaratën për CNN ka thënë: “Virusi ka qarkulluar gjithandej në Wuhan gjatë dhjetorit, që është një gjetje e re”.
Eksperti i OBSH-së për siguri në ushqim ka shtuar se ekipit i janë prezantuar nga shkencëtarët kinezë 174 raste të koronavirusit në dhe përreth Wuhanit në dhjetor të 2019-s. Prej këtij numri, 100 janë konfirmuar nëpërmjet testeve laboratorike, ka thënë ai, ndërsa 47 të tjera përmes diagnozës klinike të simptomave të pacientëve.
Edhe
OBSH-ja synon ftohjen e debatit politik për origjinën e COVID-19
Embarek ka thënë se ekziston mundësia që kjo shifër më e lartë – i rasteve mbase të rënda që janë identifikuar nga mjekët kinezë në fazë të hershme – nënkupton se sëmundja mund të ketë goditur 1 mijë e më shumë persona në Wuhan gjatë dhjetorit.
“Nuk e kemi bërë megjithatë ende një modelim të kësaj”, ka thënë ai. “Por e dimë... sipas shifrave të rrumbullakuara... se rreth 15 për qind syresh kanë qenë raste të rënda dhe pjesa më e madhe raste më të lehta”, ka thënë ai.
Embarek ka thënë se misioni – i cili përbëhej prej 17 shkencëtarëve të OBSH-së dhe 17 të Kinës – kanë ekzaminuar material të zgjeruar të tipit të virusit nga rastet e hershme të koronavirusit që ishin shfaqur fillimisht në dhjetor. Kjo gjë ua mundësoi atyre qasjen në mostrat e pjesshme gjenetike dhe jo në ato të tërësishme, ka thënë ai.
Si rezultat i kësaj, ata kanë qenë në gjendje që të mbledhin për të parën herë 13 sekuenca të ndryshme gjenetike të virusit SARS-CoV-2 nga dhjetori i 2019-s. Sekuencat, në rast se ekzaminohen me të dhënat më të gjera të pacientëve në Kinë gjatë 2019-s, mund të ofrojnë informata të çmueshme rreth gjeografisë dhe përcaktimit kohor të shpëtimit të rasteve që para dhjetorit.
Edhe
Zyrtari i OBSH-së: Punëtori i infektuar i laboratorit kinez mund ta ketë përhapur virusin
“Disa prej tyre janë nga tregjet... Disa nuk janë të lidhura me tregjet”, ka thënë Embarek, duke pretenduar se mes tyre përfshiheshin ato të tregut të ushqimeve të detit Huanan në Wuhan.
Ekipi i OBSH-së shpreson që të kthehet në Wuhan sërish pas disa muajsh për t’i vazhduar hulumtimet, ka thënë Embarek, ndonëse ai nuk ishte në gjendje që të ofronte ndonjë datë konkrete për udhëtimin e synuar. Ai ka shtuar se ekipi shpreson që t’i ekzaminojë urgjentisht mostrat biologjike, për të cilat ekspertët kanë pretenduar se nuk kanë qenë të qasshme për ta gjatë udhëtimit të parë, në veçanti qindra mostrat prej më se dy vjetësh më parë të deponuara në bankën e dhurimit të gjakut në Wuhan.