Etiketimi i ushqimeve si “të mira” apo “të këqija” mund të dëmtojë marrëdhënien tonë me ushqimin dhe shëndetin, paralajmëron dietologia e specializuar, Charlotte Carlson, në kolumnën e saj që flet për çrregullimet e të ushqyerit, të publikuar në Washington Post.
Sipas saj, shëndeti dhe ushqyerja janë shumë më komplekse sesa lista të thjeshta me ushqime që duhen ngrënë apo shmangur.
“Kultura e dietave është një sistem bindjesh që idealizon dobësinë, stigmatizon peshën dhe nxit praktika të pasigurta dhe psikologjikisht të dëmshme të ushqyerjes”, ka shpjeguar ajo, duke shtuar se shumica e klientëve të saj janë dëmtuar nga rregulla të rrepta dhe ndjenja faji rreth ushqimit.
Studimet kanë treguar se kjo kulturë rrit rrezikun për sjellje jo të shëndetshme, si dieta jo të qëndrueshme, shtim dhe humbje të përsëritur të peshës, si dhe çrregullime të ushqyerjes, përfshirë ortoreksinë, që është obsesion i rrezikshëm me “ushqimin e shëndetshëm”.
Si alternativë, ajo propozon qasjen “të gjitha ushqimet kanë vend” (“all foods fit”), e cila nuk nënkupton të hash pa kriter, por të gjesh një ekuilibër mes ushqimit, nevojave ushqyese dhe asaj që të pëlqen.
“Kjo qasje lejon fleksibilitet dhe i jep përparësi sinjaleve të trupit, urisë, ngopjes dhe kënaqësisë, në vend të rregullave të jashtme”, ka shpjeguar Carlson.
Ndryshe nga ndarja e ushqimeve në “të mira” dhe “të këqija”, kjo mënyrë e të ushqyerit pranon se shëndeti ndikohet edhe nga faktorë të tjerë, si gjumi, stresi, aktiviteti fizik, shëndeti mendor, qasja në ushqim dhe kujdesi shëndetësor.
Sipas saj, heqja e moralizimit rreth ushqimit mund të çojë në zgjedhje më të shëndetshme. Studimet tregojnë se kjo ul stresin rreth ushqimit dhe rrezikun për çrregullime të të ushqyerit.
“Njerëzit shpesh mendojnë se po i dhanë vetes leje të hanë gjithçka, do të konsumojnë vetëm ushqime ‘jo të shëndetshme’, por studimet tregojnë të kundërtën”, ka theksuar ajo.
Për ta zbatuar këtë qasje, dietologia ka këshilluar që:
-të hiqen etiketat morale nga ushqimi dhe të përdoren përshkrime neutrale;
-të dëgjohen sinjalet e trupit, si uria dhe ngopja;
-të hahet rregullisht gjatë ditës;
-të rihyjnë gradualisht në trup ushqimet që janë kufizuar për një kohë të gjatë;
-të bëhet vetë-reflektim para ngrënies, duke pyetur veten çfarë i nevojitet trupit në atë moment.
Në raste kur marrëdhënia me ushqimin është e vështirë ose ekzistojnë çrregullime të të ushqyerit, Carlson rekomandon konsultimin me një dietolog të licencuar.
Në vend të rregullave të ashpra që sjellin faj dhe turp, një qasje fleksibile ndaj ushqimit, sipas dietologes, ndihmon në ndërtimin e zakoneve më të qëndrueshme dhe një marrëdhënie më të shëndetshme me ushqimin.