Lifestyle

Ilaçet eksperimentale kundër kancerit i ndihmojnë disa pacientë të shmangin operacionin

Ilaçet eksperimentale kundër kancerit i ndihmojnë disa pacientë të shmangin operacionin

Një studim i ri nga Memorial Sloan Kettering Cancer Center ka zbuluar se pacientët me disa tumore gastrointestinale mund të trajtohen vetëm me imunoterapi, pa pasur nevojë për kirurgji, kimioterapi apo rrezatim.

“Historikisht, mënyra më e mirë për të kuruar kancerin ka qenë ta ‘presësh’. Tani kjo po ndryshon”, ka thënë onkologu Luis Diaz, bashkëautor i studimit.

Studimi ka përfshirë 103 pacientë me tumore solide që kishin mutacione të njohura si mungesë të mekanizmit për riparimin e gabimeve gjatë çiftimit të ADN-së (MMRd). Këto mutacione ndodhin në rreth 2–3% të të gjitha rasteve me kancer, ka raportuar The Washington Post.

Ilaçi eksperimental dostarlimab (Jemperli), i administruar çdo tre javë për nëntë herë, ka zhdukur plotësisht tumoret te 80% e pacientëve, duke shmangur nevojën për ndërhyrje kirurgjike. Në grupin me kancer rektal, 49 pacientët panë zhdukjen totale të tumoreve dhe asnjë rikthim të sëmundjes pas pesë vjetësh.

Faza e parë e këtij studimi nisi në vitin 2020 me 14 pacientë, të cilët patën rezultate mbresëlënëse. Faza e dytë e zgjeroi përfshirjen me pacientë që kishin kancer në organe të tjera si zorra e trashë, fshikëza, ezofagu dhe stomaku.

Dostarlimab kushton rreth 11,500 dollarë për një dozë, dhe janë të nevojshme 9 doza. FDA i ka dhënë statusin “terapi përparimtare”, që mundëson zhvillimin më të shpejtë dhe mbështetjen për miratim.

Rasti personal i Kelly Spill

Kelly Spill, një grua 28-vjeçare që sapo kishte lindur dhe po planifikonte dasmën, u diagnostikua me kancer të zorrës së trashë në stadin 3. Trajtimet standarde do të dëmtonin fertilitetin dhe funksionet e saj trupore, përfshirë vendosjen e një qeseje kolostomie.

“Isha e tmerruar. Por nëna ime më inkurajoi të hyjë në provën eksperimentale”, ka thënë Kelly.

Ajo u bë pacientja e katërt në fazën e parë të studimit. Pas 9 trajtimeve, tumori i saj ishte zhdukur.

“Kur mjeku më tha: ‘Shpresoj të mos flas më kurrë me ty, nuk ke nevojë për rrezatim’, aty ndjeva se më ishte ndryshuar e gjithë jeta”, ka thënë tutje ajo.

Sot, ajo është pa kancer dhe nënë e tre fëmijëve.