Supermodelja e mirënjohur Kate Moss ka bërë hapjen e ngjarjes së madhe të modës, të organizuar nga revista prestigjioze “Vogue” në Londër të Britanisë së Madhe.
Ngjarja e quajtur “Vogue World” u hap pas shfaqjes së një videoje ku shihej Moss duke u bërë gati të dalë në skenë. Ajo kishte veshur një fustan të zakontë nga mëndafshi. Fustani i supermodeles u krijua nga miku dhe bashkëpunëtori i saj i ngushtë John Galliano.
Kate Moss pastaj erdhi për të ecur në skenën e teatrit mbretëror “Royal Drury Lane”, e veshur e tëra me mister e bukuri, që merrte jehonë edhe më shumë nga vokali operistik i yllit Hongni Wu.
Në këtë ngjarje normalisht e pranishme ishte edhe kryeredaktorja e mirënjohur e revistës më të famshme të modës “Vogue”, Anna Wintor.

Të ftuar në ngjarjen që bëri bujë botërore ishin disenjatorë e modele të mirënjohura si Kate Moss, Naomi Campbell, Linda Evangelista, Cindy Crawford, Sophie Okonedo, Cara Delevingne, Sienna Miller, Adwoa Aboah, Vittoria Ceretti, Paloma Elsesser e Ashley Graham.
Shumë yje të tjerë parakaluan në tapetin e kuq të ngjarjes i cili qe i rrethuar me trëndafila të kuq e fotoreporterë që prisnin t’i shihnin më të dashurit e modës.
Aty e pranishme ishte edhe ylli botëror me rrënjë nga Kosova, Rita Ora. Ajo kishte veshur një fustan të zi që duket të jetë ngjyra e saj e preferuar me të cilën shfaqet në ngjarje të tilla të mëdha.


Christy Turlington Burns, Linda Evangelista, Naomi Campbell dhe Cindy Crawford mahnitën skenën në fund të ngjarjes. Redaktori “Vogue”, Jack Borkett dha vlerësim të veçantë për dukjet vezulluese të fustaneve për modelet, yje të dokumentarit të “Apple TV”.
“Këto fustane janë magjepsëse në dukje, por edhe në praktikë”, ka thënë ai.
Fustanet e supermodeleve i kishin punuar brendet e famshme “Fendi”, “Valentino” e “Alexander McQueen” dhe ishin nga koleksionet e fundit të tyre të vitit 2023.

Borkett gjithashtu u shpreh i mahnitur nga ekipi organizues i shfaqjes.
Kjo ngjarje e organizuar për herë të dytë, hap javën e modës në Londër me spektakël madhështor që shfaqet vetëm një natë në teatrin me nam. Ky është teatri më i dashur i adhuruesve të modës në zemrën e rajonit të njohur të Londrës “Covent Garden”.
Autore: Vita Abrashi-Kajtazi