Lifestyle

Fëmijët e ofenduar verbalisht, më të prirur të kenë probleme me shëndetin mendor

Fëmijët

Prindërit që ofendojnë, kërcënojnë apo poshtërojnë fëmijët e tyre rrezikojnë t’i lënë ata me pasoja të rënda psikologjike edhe në moshë të rritur, sipas një studimi të ri, ka raportuar The Guardian.

Të dhënat tregojnë se fëmijët që janë viktima të abuzimit verbal kanë 64 për qind më shumë rrezik për të pasur shëndet të dobët mendor kur të rriten, më shumë se ata që janë përballur me dhunë fizike, ku rreziku është më i lartë për 52 për qind.

Studimi i publikuar në revistën BMJ Open, ka analizuar të dhëna nga 20,687 të rritur, të mbledhura nga shtatë studime të ndryshme të zhvilluara mes viteve 2012 dhe 2024.

Pjesëmarrësit u pyetën për përvojat e tyre në fëmijëri, duke përfshirë dhunën fizike dhe verbale, si dhe për gjendjen e tyre emocionale gjatë dy javëve të fundit. Për matjen e mirëqenies mendore u përdor Warwick-Edinburgh Mental Wellbeing Scale, ndërsa për përvojat negative në fëmijëri u përdor mjeti i licencuar ACE (Adverse Childhood Experiences).

Sipas analizës, 16 për qind e pjesëmarrësve që nuk kishin përjetuar asnjë lloj abuzimi raportuan mirëqenie të ulët mendore. Kjo përqindje rritej në 22.5 për qind për ata që kishin përjetuar dhunë fizike, në 24 për qind për ata që kishin përjetuar dhunë verbale dhe në 29 për qind për ata që i kishin përjetuar të dyja.

Gjithashtu, studimi ka zbuluar se ndërsa rastet e dhunës fizike kanë rënë ndjeshëm, nga rreth 20 për qind për ata të lindur mes viteve 1950–1979 në 10% për të lindurit pas vitit 2000, rastet e dhunës verbale janë rritur, nga 12 për qind para vitit 1950 në rreth 20 për qind për brezin e lindur pas vitit 2000.

“Studimi ynë tregon se gjuha fyese, poshtëruese apo tallëse e drejtuar ndaj fëmijëve mund të ketë pasoja afatgjata në shëndetin mendor, që janë po aq serioze sa dhuna fizike”, ka thënë profesori Mark Bellis nga Universiteti John Moores në Liverpool, autori kryesor i studimit.

Ai ka shtuar se ajo që i shqetëson studiuesit është se, ndonëse dhuna fizike është në rënie, abuzimi verbal është në rritje, gjë që mund të zhbëjë përmirësimet që kanë bërë në mbrojtjen e shëndetit mendor të fëmijëve.

Studiuesit kanë pranuar disa kufizime në analizën e tyre, përfshirë faktin se nuk ishin në gjendje të matnin ashpërsinë e secilit lloj abuzimi apo arsyet që qëndrojnë pas rritjes së dhunës verbale.

“Ky studim nuk u jep përgjigje të gjitha arsyeve, por një gjë është e qartë: nuk mjafton vetëm t’ua ndalosh prindërve të bëjnë diçka, duhet t’u ofrojmë mbështetje konkrete dhe udhëzime të qarta për të rritur fëmijët në mënyrë të shëndetshme dhe përkrahëse”, ka shtuar Bellis.

Studimi ka zbuluar gjithashtu se personat e lindur pas vitit 2000 kishin më shumë gjasa të raportonin mirëqenie të ulët mendore në përgjithësi. Në këtë grup, burrat ishin më të prirë të thoshin se “kurrë ose rrallëherë ndihen optimistë, të dobishëm apo të afërt me të tjerët”, ndërsa gratë ishin më të prirura të thoshin se “kurrë ose rrallë ndihen të relaksuara”.

Jessica Bondy, themeluese e organizatës bamirëse “Words Matter”, e cila angazhohet për ndalim të dhunës verbale ndaj fëmijëve, ka thënë se ky studim konfirmon atë që shumë prindër ende nuk e kuptojnë plotësisht.

“Fjalët lëndojnë thellë dhe mund të kenë ndikim afatgjatë në shëndetin mendor dhe zhvillimin e fëmijëve”, ka thënë ajo.

Bondy gjithashtu ka paralajmëruar se çdo përmirësim që është bërë në uljen e dhunës fizike mund të zhbëhet nga rritja e dhunës verbale.

“Duhet të veprojmë tani, sepse shëndeti mendor i brezit të ardhshëm dhe e ardhmja jonë e përbashkët varen nga kjo”, ka thënë ajo.