Lifestyle

Ëmbëltuesit artificialë plakin trurin për 1 vit e gjysmë më herët

Ëmbëltuesit artificialë

Konsumimi i ëmbëltuesve artificialë, edhe në sasi të vogla, sa një pije e vetme “pa sheqer” në ditë, lidhet me rënie më të shpejtë të kujtesës dhe aftësive njohëse, sipas një studimi të publikuar në revistën shkencore Neurology.

“Personat që konsumuan më shumë ëmbëltues pa kalori treguan një rënie 62% më të shpejtë të funksioneve njohëse në krahasim me ata që konsumuan më pak. Kjo është e barabartë me rreth 1.6 vjet plakje të trurit më herët”, ka thënë autorja kryesore e studimit, doktoresha Claudia Kimie Suemoto, profesoreshë në Universitetin e São Paulos, ka raportuar CNN.

Sipas të dhënave, personat me konsum më të lartë marrin mesatarisht 191 mg ëmbëltues në ditë (rreth një lugë çaji). Për krahasim, një kënaçe me pije “pa sheqer” por me ëmbëltuesin që quhet aspartam përmban 200–300 mg, sipas OBSH-së. Grupi me konsum mesatar merrte 66 mg, ndërsa grupi me konsum më të ulët vetëm 20 mg në ditë.

“Pjesëmarrësit në nivelin mesatar patën rënie 35 për qind më të shpejtë, që i korrespondon rreth 1.3 vite plakje të trurit, krahasuar me ata që konsumuan më pak ëmbëltues. Studimi është vetëm vëzhgues, nuk mund të themi se ëmbëltuesit e shkaktojnë plakjen e trurit. Por dimë se ata lidhen me një ecuri më të keqe të aftësive njohëse”, ka thënë Suemoto.

Në një editorial të publikuar paralelisht me studimin, doktori Thomas Holland nga Universiteti Rush në Chikago ka shkruar se supozimi i përhapur se ëmbëltuesit pa kalori janë zëvendësues të sigurt për sheqerin mund të jetë i gabuar, sidomos duke pasur parasysh praninë e tyre të madhe në produkte të tregtuara si “më të rëndësishme”.

“Gjetjet mund të çojnë neurologët të rishqyrtojnë rekomandimet standarde për dietën, veçanërisht për pacientët me diabet, sindromë metabolike ose rrezik cerebrovaskular”, ka shtuar ai.

Ndikimi te njerëzit me diabet

Studimi analizoi dietën dhe aftësitë njohëse të afro 13,000 brazilianëve të moshës 35–75 vjeç gjatë tetë vjetëve. Rezultatet treguan se rënia e kujtesës dhe funksioneve mendore ishte më e theksuar te njerëzit me diabet.

“Vetë diabeti është faktor i fortë rreziku për Alzheimer dhe demencë vaskulare, prandaj truri mund të jetë më i ndjeshëm ndaj ekspozimeve të dëmshme”, ka thënë Suemoto.

Jo të gjithë ëmbëlsuesit lidhen me dëme

Nga ëmbëltuesit e studiuar, aspartami, sakarina, acesulfame-K, eritritoli, ksilitoli, sorbitoli dhe tagatoza, vetëm tagatoza nuk u lidh me rënie të aftësive njohëse. Por të tjerët, veçanërisht aspartami, sakarina dhe acesulfame-K, treguan lidhje me humbje më të shpejtë të kujtesës dhe të të folurit.

“Ëmbëlsuesit ofrojnë mënyrë të sigurt dhe efektive për të ulur sheqerin dhe kaloritë, gjë që është objektivi kryesor i shëndetit publik. Siguria e tyre është konfirmuar vazhdimisht nga autoritetet kryesore shëndetësore”, ka deklaruar për CNN, Shoqata Ndërkombëtare e Ëmbëltuesve (ISA).

Megjithatë, doktori Stanley Hazen nga Cleveland Clinic, i cili ka studiuar efektet e eritritolit dhe ksilitolit, e quajti këtë studim “shqetësues”.

Sipas tij, rezultatet mbështesin dyshimet në rritje mbi sigurinë afatgjatë të ëmbëltuesve artificialë.

“Studime si ky dhe tonat shtojnë prova që vënë në pikëpyetje sigurinë afatgjatë të këtyre produkteve dhe statusin e tyre si ‘të njohura përgjithësisht si të sigurta’”, ka thënë ai.