Një studim i madh në Spanjë ka sjellë prova të forta se ndjekja e dietës mesdhetare, e kombinuar me pakësimin e kalorive dhe aktivitet fizik të rregullt, ul ndjeshëm rrezikun e zhvillimit të diabetit, ka raportuar The New York Times.
Rezultatet treguan se të rriturit më të moshuar, të cilët kishin mbipeshë dhe kishin faktorë rreziku për diabet, por ndoqën këtë stil jetese për gjashtë vite, kishin 31 për qind më pak gjasa të zhvillonin sëmundjen krahasuar me ata që ndoqën vetëm dietën mesdhetare pa ndryshime të tjera.
“Lajmi i mirë është që edhe ndryshimet e vogla patën ndikim të madh, pasi ulën rrezikun e diabetit”, ka thënë Miguel Ángel Martínez-González, profesor i shëndetit publik në Universitetin e Navarrës dhe një nga autorët e studimit.
Dieta mesdhetare thekson konsumimin e frutave dhe perimeve të freskëta, drithërave të plota, arrave, bishtajoreve, vajit të ullirit dhe peshkut.
Ekspertët theksojnë se kombinimi i ushqimit të shëndetshëm, humbjes së peshës dhe aktivitetit fizik sjell rezultate më të forta, pasi vepron si “një orkestër. Një instrument tingëllon bukur, por kur luajnë disa së bashku, kënga është më e mirë”, ka thënë Jordi Salas Salvadó, profesor i ushqyerjes në Universitetin Rovira i Virgili në Spanjë.
Pjesëmarrësit që ndoqën programin e plotë humbën mesatarisht mbi 3.5 per qind të peshës trupore dhe reduktuan perimetrin e belit më shumë se grupi tjetër. Këto ndryshime, edhe pse modeste, ndikuan në uljen e rrezikut të zhvillimit të diabetit.
“Ky studim konfirmon atë që dimë prej kohësh, dieta dhe aktiviteti fizik janë ndër faktorët më të rëndësishëm për parandalimin e sëmundjeve kronike si diabeti dhe sëmundjet e zemrës”, ka thënë Elizabeth Selvin, profesoreshë e epidemiologjisë në Universitetin Johns Hopkins.
Mjekët theksojnë se, përveç parandalimit të diabetit, ky stil jetese ndihmon në uljen e inflamacionit, përmirëson ndjeshmërinë ndaj insulinës dhe zvogëlon stresin oksidativ që dëmton qelizat.
“Ky është shembull i fuqishëm se ndryshimet e qëndrueshme në stilin e jetesës, edhe nëse jo të mëdha, mund të bëjnë diferencë të madhe në shëndetin afatgjatë”, ka thënë dietologia Nicole Patience nga Joslin Diabetes Center në Boston.