Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

COVID-19 i shkatërron tërësisht mushkëritë e të vdekurve nga sëmundja

Foto: Reuters / Ilustrim

COVID-19 i dëmton aq rëndë mushkëritë e personave që kanë vdekur nga sëmundja saqë mund t’i bëjë ato të paidentifikueshme, ka thënë të martën një profesor i mjekësisë kardiovaskulare para Parlamentit në Britaninë e Madhe.

Sëmundja shkakton dëmtim aq të madh te pacientët që kanë kaluar më shumë se një muaj në spital saqë rezulton me “shkatërrimin e tërësishëm të arkitekturës së mushkërive”, ka thënë profesori Mauro Giacca, nga kolegji mbretëror britanik në Londër.

Për këto gjetje, të cilat ai tha se dëshmojnë potencialin e “problemeve reale” pas mbijetesës së sëmundjes, profesori ka bërë të ditur të ketë studiuar autopsitë e pacientëve të vdekur në Itali, pas 30 apo 40 ditësh në përkujdesjen intensive. Kësisoj ai ka zbuluar sasi të madhe të virusit të mbijetuar në mushkëri, si dhe qeliza të shkrira në mënyrë të pazakontë.

“Ato që gjenden në mushkëritë e personave që kanë qenë të prekur nga sëmundja për më shumë se një muaj para se të vdesin është diçka krejtësisht ndryshe prej pneumonisë normale, gripit apo virusit të SARS-it”, ka thënë ai. “Shihni trombozë masive. Ka shkatërrim komplet të arkitekturës së mushkërive – në disa raste madje as nuk mund të dallohet se kanë qenë dikur mushkëri. Ka numër shumë të madh të qelizave të shkrira”, ka thënë ai.

“Jam i bindur se kjo e shpjegon patologjinë unike të COVID-19. Kjo nuk është një sëmundje e shkaktuar nga një virus që i vret qelizat, të cilat kanë implikime të mëdha për terapinë”.

Edhe Sipas një studimi, COVID-19 dëmton mushkëritë Lifestyle Sipas një studimi, COVID-19 dëmton mushkëritë

Dëshmitë e tij u bënë teksa Dhoma e Lordëve dëgjoi shkencëtarët mjekësorë dhe mjekët që po e hulumtojnë natyrën e COVID-19, sjelljen e sëmundjes, trajtimet, vaksinat dhe imunizimin e mundshëm.

Sir John Bell, një profesor i mjekësisë në Universitetin e Oxfordit, i cili është pjesëtar i taskforcës qeveritare për vaksinën e koronavirusit, ka thënë se përpjekjet për të kuptuar nëse personat që e kishin virusin kanë imunitet do të kërkojnë testime të mëtutjeshme gjatë një vale të dytë të infeksioneve në Britani të Madhe.