Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

Angazhimi në art e kulturë mund ta ngadalësojë plakjen

Arti dhe kultura

Arti dhe kultura

Një studim i ri ka zbuluar se angazhimi në art dhe kulturë mund të ngadalësojë plakjen biologjike të trupit, duke pasur efekt të ngjashëm me aktivitetin fizik.

Për vite me radhë, këshillat kryesore për një jetë më të gjatë kanë qenë ushqimi i shëndetshëm dhe ushtrimet fizike. Por studiuesit tani thonë se edhe arti mund të luajë një rol të rëndësishëm në ruajtjen e shëndetit dhe rinisë biologjike, ka raportuar NPR.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Studiuesja Daisy Fancourt nga University College në Londër dhe ekipi i saj, kanë analizuar të dhënat e mijëra njerëzve, nga ata që merren shumë me art deri tek ata që pothuajse nuk kanë fare kontakt me të.

“Në këtë studim zbuluam se angazhimi në art lidhej me një normë 4% më të ngadaltë të plakjes, që do të thotë se njerëzit ishin biologjikisht rreth një vit më të rinj nëse merreshin rregullisht me art”, ka thënë ajo.

Sipas saj, ky efekt ishte pothuajse i njëjtë me atë që vërehet tek aktiviteti fizik.

Studimi, i publikuar në Innovation in Aging, ka treguar se përfitimet vlejnë si për njerëzit që krijojnë art, si vallëzimi, këndimi apo piktura, ashtu edhe për ata që thjesht konsumojnë kulturë, duke shkuar në koncerte, teatër apo muze.

Shkencëtari Steven Horvath nga Universiti i Californias, në Los Angeles, i njohur si krijuesi i “orës epigjenetike”, ka thënë se rezultatet e studimit e surprizuan.

“Sinqerisht, kjo më habiti shumë”, ka thënë ai.

“Ora epigjenetike” është një metodë që përdoret për të matur moshën biologjike të njeriut përmes ndryshimeve në ADN.

Horvath ka shpjeguar se mosha kronologjike është mosha reale sipas certifikatës së lindjes, por njerëzit nuk plaken të gjithë me të njëjtin ritëm.

“Mendoj se ky është një studim shumë rigoroz. Dhe ajo që është krejtësisht e re për mua është se angazhimi në art mund të ketë efekte të krahasueshme me aktivitetin fizik. Mendoj se ky studim e çon fushën e orës epigjenetike në horizonte të reja”, ka thënë ai.

Edhe kardiologu Doug Vaughan nga Universiteti Northwestern ka thënë se aktivitetet kreative mund të ndihmojnë në uljen e stresit dhe inflamacionit në trup, gjë që mund të ndikojë në ngadalësimin e plakjes.

“Arti, kreativiteti apo shijimi i artit janë një ndërhyrje jo-farmaceutike”, ka thënë ai.