Një safir vjollcë me peshë 3,563 karatë, i cili pretendohet të jetë më i madhi i këtij lloji në botë, u zbulua të shtunën në kryeqytetin e Sri-Lankës nga pronarët, të cilët janë të gatshëm ta shesin gurin e çmuar që vlerësohet të ketë një vlerë prej të paktën 300 milionë dollarësh, raporton agjencia “AP”.
Guri i rrumbullakët, i quajtur “Star of Pure Land”, është safiri vjollcë natyral i dokumentuar më i madh në botë, tha Ashan Amarasinghe, ekspert i gurëve të çmuar.
“Ky është safiri yll vjollcë më i madh i llojit të tij,” u tha ai mediave, duke shtuar se guri “tregon një asterizëm të mirëpërcaktuar”. “Ka asterizëm me gjashtë rreze. Kjo është diçka e veçantë krahasuar me të gjithë gurët e tjerë.”
Guri i çmuar, i cili është lëmuar, është në pronësi të ekipit “Star of Pure Land”, të cilët dëshirojnë të mbeten anonimë për arsye sigurie.
Njëri nga pronarët tha se guri u gjet në një gropë minerare pranë qytetit të largët sri-lankez të Rathnapuras, i njohur si “qyteti i gurëve të çmuar”, në vitin 2023.
Ai u ble së bashku me gurë të tjerë të çmuar në vitin 2023 dhe rreth dy vjet më vonë, pronarët zbuluan se ishte një gur i veçantë. Më pas ata e certifikuan atë nga dy laboratorë.
Amarasinghe tha se vlera e gurit është vlerësuar nga 300 milionë deri në 400 milionë dollarë nga vlerësues ndërkombëtarë. Safirët e Sri-Lankës janë të njohur për ngjyrën e tyre unike, qartësinë dhe shkëlqimin.