Kuriozitet

Si u krijuan fishekzjarret, si bëhen me ngjyra dhe forma të ndryshme?

Fishekzjarre

Në mbarë botën, njerëzit mblidhen për të parë shfaqje vezulluese fishekzjarresh në raste të veçanta, si në orën 12:00 pas mesnate kur bëhet ndërrimi i mot-moteve, e me 4 korrik për pavarësinë e SHBA-së, kur qielli duket plot ngjyra.

Por e keni pyetur ndonjëherë veten çfarë fshihet pas shpërthimeve të fuqishme dhe ngjyrave të mrekullueshme që ndriçojnë qiellin? Pse disa shkëlqejnë, disa kërcasin e disa të tjera krijojnë edhe figura në qiell?

Alkimistët kinezë krijuan barutin midis viteve 600 dhe 900 pas Krishtit, duke hapur rrugën për fishekzjarret shumëngjyrëshe. Ekspertët besojnë se forma më e hershme e fishekzjarreve daton rreth vitit 200 para Krishtit, në Kinën e lashtë.

Me kalimin e kohës, megjithatë, fishekzjarret u zhvilluan dhe u kthyen në një formë të njohur argëtimi. Si rezultat, ato u përfshinë në festivale dhe ceremoni, shkruan The Fact Site.

Një vit pas nënshkrimit të Deklaratës së Pavarësisë së SHBA-së, Philadelphia organizoi festimet e para të Ditës së Pavarësisë me fishekzjarre, më 4 korrik 1777.

Çfarë u jep fishekzjarreve ngjyrat e tyre spektakolare?

Në fillim, fishekzjarret kishin kryesisht vetëm ngjyrën portokalli. Me kalimin e viteve, alkimistët zbuluan mënyra për të shtuar ngjyra të tjera. Kur i ekspozon në temperatura të larta, shumë metale prodhojnë flakë me ngjyra. Kështu që piroteknikët thjesht duhej të shtonin metalet e duhura në përzierjen me barut për të marrë efektin e dëshiruar.

Ngjyra klasike e argjendtë ose e bardhë vjen zakonisht nga titani, magnezi dhe zirkoni. Stronciumi i jep fishekzjarreve ngjyrë të kuqe të ndezur, natriumi ngjyrë të verdhë, dhe bakri ngjyrë blu.

Por këtu bëhet më interesante. Përzierja e fishekzjarreve me ngjyra është pak a shumë është si të përziesh bojërat për të marrë ngjyrën perfekte.

Por, si krijohen format specifike në qiell?

Fishekzjarret që krijojnë forma si zemra, yje apo fytyra në qiell janë shumë mbresëlënëse. Por magjia qëndron te mënyra se si ndërtohen. Sekreti është te struktura e fishekzjarrit. Këto fishekzjarre të veçanta përmbajnë disa grimca të vogla me material shpërthyes, të vendosura në një formë të caktuar brenda predhës.

Shpesh përdoren edhe pjesë kartoni për t’i mbajtur yjet në vend. Kur fishekzjarri lëshohet dhe shpërthen në qiell, yjet shpërndahen në të njëjtën formë në të cilën ishin vendosur.

Që të sigurohen që të gjithë ta shohin formën, piroteknikët zakonisht i lëshojnë fishekzjarret nga kënde të ndryshme.

Ka edhe një mënyrë të dytë, më komplekse, për të krijuar figura me fishekzjarre. Ato ndërtohen në tokë me shumë fishekzjarre të vogla të vendosura në një model të caktuar. Kur vjen momenti i shfaqjes, të gjitha ndezen njëkohësisht dhe krijojnë një figurë të madhe.

Kjo teknikë, megjithëse më e lodhshme, preferohet për modele komplekse, sikurse krijimi i një figure gjigante të flamurit amerikan.

A mund të shpërthejnë fishekzjarret vetvetiu?

Fatmirësisht, jo. Fishekzjarret janë të dizajnuar që të kërkojnë një burim të jashtëm ndezjeje, si flakë apo një pajisje që aktivizon fitilin.

Për sa kohë që i ruani larg shkëndijave, nxehtësisë apo çdo burimi të mundshëm ndezjeje ose materiali të djegshëm, ato janë të sigurta.

Fishekzjarret na kanë mahnitur për shekuj, falë një kombinimi të zgjuar të kimisë, mjeshtërisë dhe traditës. Kur ndizen, përbërjet metalike prodhojnë ngjyra ndërsa vendosja e grimcave shpërthyese krijojnë forma.

Herën tjetër që shihni një shfaqje madhështore fishekzjarresh, mund t’i impresiononi miqtë duke u shpjeguar se si funksionon.