Kuriozitet

Norvegjezit i ndodh e papritura, zgjohet dhe sheh një anije të madhe në kopshtin e tij

Norvegji

Një burrë në Norvegji u zgjua dhe gjeti një anije të madhe kontejnerësh që kishte dalë nga kursi dhe ishte përplasur në kopshtin e shtëpisë së tij, shkruan BBC.

Anija 135 metra e gjatë kaloi vetëm disa metra larg shtëpisë së Johan Helbergut të enjten mëngjes me kohën lokale.

Helberg u njoftua për incidentin nga fqinji i tij i shqetësuar, i cili e kishte parë anijen teksa lëvizte me shpejtësi drejt bregut, në Byneset, pranë qytetit Trondheim.

“Zilen e derës nuk më pëlqen ta hap në atë orë. Shkova te dritarja dhe u habita kur pashë një anije kaq të madhe. Duhej ta përkulja qafën që të shihja majën e saj. Ishte kaq e pabesueshme. Pesë metra më në jug dhe do të kishte hyrë në dhomën e gjumit. Nuk kam dëgjuar asgjë”, ka thënë Helberg për kanalin televiziv TV2.

Fqinji i tij, Jostein Jorgensen, ka thënë se ishte zgjuar nga zhurma e anijes që lëvizte me shpejtësi të plotë drejt tokës dhe kishte vrapuar drejt shtëpisë së Helbergut.

“Isha i bindur që ai tashmë ishte jashtë, por jo, nuk kishte asnjë shenjë. I rashë ziles së derës shumë herë dhe asgjë. Vetëm kur e telefonova, arrita ta kontaktoja”, rrëfeu Jorgensen.

Anija e mallrave me flamur qipriot, NCL Salten, kishte 16 persona në bord dhe ishte duke udhëtuar në drejtim jugperëndim përmes fjordit të Trondheimit drejt Orkanger, kur doli nga kursi.

Askush nuk u lëndua në incident.

Nuk dihet ende se çfarë e shkaktoi aksidentin, ndërkohë që policia norvegjeze ka nisur hetimet.

Sipas raporteve, e njëjta anije kishte dalë nga kursi edhe në vitin 2023, por kishte arritur të dilte vetë pa ndihmë.

VIDEO: