Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“The Odyssey” i 250 milionë dollarëve s’e paguan dëmin për anijen

Pas gjashtë muajsh në përdorim nga kompania “Universal”, anija luftarake “Glad av Gillberga” – që u përdor si një nga anijet shoqëruese të flotës në “The Odyssey” – u kthye me dëmtime të konsiderueshme, përfshirë pjesën e pasme dhe direkun

Pas gjashtë muajsh në përdorim nga kompania “Universal”, anija luftarake “Glad av Gillberga” – që u përdor si një nga anijet shoqëruese të flotës në “The Odyssey” – u kthye me dëmtime të konsiderueshme, përfshirë pjesën e pasme dhe direkun

Pronarët suedezë të kopjes së anijes vikinge, e cila shfaqet në filmin hollivudian  “The Odyssey”, kanë thënë se ndihen të “harruar”, pasi producentët e filmit dyshohet se ua kthyen anijen të dëmtuar dhe nuk paguan shpenzimet e riparimit. Për gati tri dekada në det, anija luftarake “Glad av Gillberga” – e ndërtuar sipas modelit të një anijeje të fundosur rreth vitit 1040, e zbuluar në fjordin Roskilde të Danimarkës – ka lundruar me sukses në Detin e Veriut, Detin Baltik dhe madje ka udhëtuar deri në Kanada.

Por pas gjashtë muajsh në përdorim nga kompania “Universal”, e cila sipas pronarëve kishte premtuar se do të mbulonte çdo shpenzim riparimi, anija u kthye me dëmtime të konsiderueshme, përfshirë pjesën e pasme dhe direkun.

“Vikingaleden”, një qendër jofitimprurëse vikinge në rajonin e Värmlandit, në perëndim të Suedisë, ka thënë se pasi i dërgoi “Universalit” faturën për materialet e përdorura në riparimin e anijes – pa llogaritur punën vullnetare të anëtarëve – nuk mori asnjë pagesë.

Një vit më vonë, ndërsa filmi epik i Christopher Nolan, me aktorët Matt Damon, Tom Holland, Anne Hathaway dhe Zendaya, po korr sukses të madh në kinematë botërore, duke arkëtuar 264 milionë dollarë vetëm gjatë fundjavës së parë, shoqata ka thënë se ende pret pagesën prej 6 mijë dollarësh.

Peter Olausson, kryetar i shoqatës “Vikingaleden”, ka thënë se megjithëse ndihet krenar që anija e tyre u shfaq në film, kjo krenari është zbehur nga ndjenja e padrejtësisë për shkak të dështimit të pretenduar të kompanisë për të mbuluar dëmet.

Edhe Prapaskenat e “The Odyssey”: Nga Homeri tek iso-polifonia shqiptare Shtojca për Kulturë 4 d. më parë Prapaskenat e “The Odyssey”: Nga Homeri tek iso-polifonia shqiptare

“Ne po kërkojmë vetëm koston e materialeve, jo pagesë për punën”, ka thënë ai. “Sigurisht që ‘Universal’ mund t’i përballojë këta 6 mijë dollarë. Ndihemi të harruar”.

Anija tashmë është rikthyer në funksion, por Olausson ka akuzuar “Universalin” se nuk e mbajti premtimin. “Marrëveshja ishte që ne ta riparonim anijen dhe më pas të rimbursoheshim financiarisht”, ka thënë ai. Ka shtuar se, ndonëse kjo shumë është e vogël për “Universalin”, për shoqatën me rreth 200 anëtarë që menaxhon fshatin dhe muzeun viking, ajo përbën një shumë të konsiderueshme.

“Universal” është kontaktuar për të dhënë një koment.

Filmi, i cili raportohet se ka kushtuar rreth 250 milionë dollarë për t’u realizuar, bazohet në poemën epike të Greqisë së lashtë, “Odisea” e Homerit, që rrëfen udhëtimin dhjetëvjeçar të mbretit të Itakës, Odiseut, në përpjekje për t’u kthyer në shtëpi pas Luftës së Trojës.

“Glad av Gillberga” u përdor si një nga anijet shoqëruese të flotës, të cilat besohet se i ngjanin anijeve nordike vikinge.

Edhe Zendaya mezi pret ta shohë “The Odyssey”: Do të ketë skena që nuk janë bërë kurrë më parë Showbiz 3 j. më parë Zendaya mezi pret ta shohë “The Odyssey”: Do të ketë skena që nuk janë bërë kurrë më parë

Anija kryesore, ajo e Odiseut, ishte kopja norvegjeze 35 metra e gjatë “Draken Harald Hårfagre”.

Kapiteni suedez i saj, Björn Ahlander, ka thënë se jeta në bord gjatë gjashtë muajve të xhirimeve rreth ishujve grekë dhe italianë nuk ishte aspak e lehtë për ekuipazhin prej 30 personash. Ai i tha transmetuesit suedez SVT: “Ne e shndërruam anijen në një anije të Greqisë së lashtë. Hoqëm tendat dhe të gjitha elementet moderne dhe krijuam një kuvertë të hapur ku jetuam gjatë gjithë kësaj kohe. Ishte mjaft e vështirë”.

Për këtë anije kishte shkruar edhe kritiku i njohur i filmit Bilge Ebiri, në një shkrim të gjatë për prapaskenat e “The Odyssey”, i botuar në “New York Magazine” dhe “Vulture”.

“Një prej sfidave më të mëdha ishte gjetja e anijes së Odiseut. Produksioni zgjodhi ‘Draken’, një anije prej rreth 35 metrash e ankoruar në Stavanger të Norvegjisë, e cila mund të shndërrohej në një anije luftarake me shumë pak ndërhyrje”, kishte shkruar ai, duke cituar drejtoreshën e skenografisë, Ruth De Jong. “Kur hipëm në të dhe ndiemë përmasat e saj, kuptuam se mund të xhironim pa problem me 50 deri në 100 njerëz në bord, në mes të detit”, kishte cituar ai.

Edhe Matt Damon në trailerin e ri të filmit të Christopher Nolanit Showbiz 2 muaj më parë Matt Damon në trailerin e ri të filmit të Christopher Nolanit

Sipas Ebirit, anija – e cila kishte kaluar dy herë Oqeanin Atlantik – erdhi së bashku me ekuipazhin e saj. Edhe ata u pajisën me kostume të filmit dhe trajnuan aktorët që të mësonin të drejtonin anijen në mënyrë autentike, ndonjëherë për orë të tëra. “Aktorët mësuan gjithashtu të ngrinin velat dhe të kryenin punët e zakonshme të marinarëve. Kjo i lejoi Nolanit dhe drejtorit të fotografisë, Hoyte van Hoytema, t’i filmonin sikur po realizonin një dokumentar. ‘Nuk jam i sigurt nëse e kuptonin plotësisht se për çfarë po incizoheshin’, thotë Nolan duke buzëqeshur. ‘Por kishim një grup aktorësh fantastikë, disa prej të cilëve kishin vetëm një ose dy duble’”, shkruhej në këtë artikull ku u bë e ditur edhe përfshirja e muzikës shqipe në kolonën zanore të “The Odyssey”.

Bazuar në raportimin e “The Guardian”