Nëntënjakët e vetëm në botë kanë festuar të mërkurën ditëlindjen e parë, në gjendje shumë të mirë shëndetësore, ka bërë të ditur për BBC-në, babai i tyre.
“Që të gjithë po zvarriten. Disa po qëndrojnë ulur dhe madje edhe po ecin nëse mbahen diku”, ka thënë Abdelkader Arby, oficer në ushtrinë e Malit, shtet në Afrikë.
Sipas tij, fëmijët janë ende nën kujdesin e klinikës në Marok, aty ku kanë lindur.
Arby ka shtuar se edhe e ëma e tyre, Halima Cisse, 26 vjeç është në gjendje të mirë shëndetësore.
“Nuk është e lehtë, por është diçka e mahnitshme. Ndonëse është shumë rraskapitëse, kur i shikon ata që janë në gjendje të mirë shëndetësore, harrojmë çdo gjë tjetër”, ka thënë Arby për BBC Afrique.
Edhe
Lëshohen në shtëpi nëntënjakët që qëndruan në spital 19 muaj pas lindjes
Ai është kthyer në Marok për herë të parë në gjashtë muajt e fundit, bashkë me vajzën e tyre më të madhe, Souda 3 vjeç.
Arby ka treguar se ditëlindja e tyre e parë ishte një festë me infermierët dhe disa njerëz nga ndërtesa ku jetojnë.
Nëntë foshnjat kanë thyer rekordin e Guinnessit, për më së shumti fëmijë të lindur me një lindje të vetme e të cilët kanë shpëtuar.
Përpara lindjes më 4 maj 2021, Cissé u dërgua në Marok nga qeveria e Malit për kujdes të specializuar.
Lindjet e shumëfishta janë të rrezikshme dhe nënat me më shumë se katër fetuse në të njëjtën kohë këshillohen të ndërpresin shtatzëninë, në vendet ku aborti është i ligjshëm.
Ekzistojnë gjithashtu rreziqe që foshnjat mund të kenë probleme shëndetësore për shkak të lindjes së tyre të parakohshme, të tilla si sepsë dhe paralizë cerebrale.
Edhe
Binjaket që lindën me pak minuta diferencë – por me baballarë të ndryshëm
Foshnjat - pesë vajza dhe katër djem, lindën në javën e 30-të sipas ministres së shëndetësisë së Malit, Fanta Siby. Ata peshonin midis 500 g dhe 1 kg. Foshnjat lindën me prerje cezariane.
Djemtë e tyre quhen Mohammed VI, Oumar, Elhadji Bah, ndërsa vajzat quhen Kadidia, Fatouma, Hawa, Adama dhe Oumou.