Arbëri

Një nënë nga Gjilani sjell në jetë trenjak në QKUK në minutat e parë të vitit 2026

Lindja e parë e vitit 2026 në Kosovë ka ndodhur në Klinikën e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Në orët e para të Vitit të Ri, një grua ka sjellë në jetë trenjakë – që të tre djem. Sipas stafit mjekësor, lindja ka kaluar me sukses dhe gjendja shëndetësore e nënës dhe foshnjave është e mirë

Tre djem i solli në jetë një nënë nga Gjilani, në minutat e parë të vitit 2026. Lindja u krye në Klinikën e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Nënën e trenjakëve, pak minuta pas mesnate e ka vizituar kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, dhe drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar Elvir Azizi. 

Ata u pritën nga stafi mjekësor i Klinikës.

“Vizituam zonjën që është bërë nënë për herë të parë, por njëkohësisht është edhe lindja e parë e vitit 2026. E uruam e i dëshiruam shëndet dhe kishte një rrethanë shumë të veçantë meqë ka lindur trenjakë, tre djem, tri foshnje të gjinisë mashkullore”, tha Kurti. 

Sipas doktorit Naser Rafuna, lindja është realizuar pa komplikime, ndërsa nëna dhe foshnjat janë në gjendje stabile shëndetësore dhe po mbahen nën monitorim të vazhdueshëm.

“Është bërë nënë për herë të parë pas një infertiliteti tetëvjeçar. Lindja ka shkuar mirë, nëna është mirë dhe shpresojmë që edhe më tutje nëna dhe fëmijët të jenë në gjendje të mirë shëndetësore”, tha Rafuna. 

Në QKUK është bërë e ditur se shërbimet shëndetësore kanë funksionuar pa ndërprerje edhe gjatë festës së Vitit të Ri.
 

 


Lindja e parë - trenjakë

Lindja e parë e vitit 2026 në Kosovë ka ndodhur në Klinikën e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku në orët e para të vitit të ri kanë ardhur në jetë trenjakë, tre djem.

Sipas stafit mjekësor, lindja është realizuar me sukses nga ekipi i Klinikës së Gjinekologjisë, ndërsa si nëna ashtu edhe foshnjat janë në gjendje të mirë dhe stabile shëndetësore, nën monitorim të vazhdueshëm mjekësor.

Në QKUK shërbimet kanë funksionuar pa ndërprerje edhe gjatë festave të Vitit të Ri.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar Klinikën e Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku ka uruar lindjen e parë të vitit 2026, një ngjarje e veçantë që u shënua me ardhjen në jetë të trenjakëve.

Kurti, i shoqëruar nga ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, dhe drejtori i SHSKUK-së, u prit nga stafi mjekësor, përfshirë doktor Zef Ndrejaj dhe doktor Naser Rafuna.

Ai vizitoi nënën e re, e cila është bërë nënë për herë të parë dhe njëkohësisht ka sjellë në jetë lindjen e parë të vitit 2026 në Kosovë – tre djem.

"Jemi këtu në Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK bashkë me ministrin në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitinë me drejtorin e SHSKUK ku na mirëpritën, doktor Zef Ndrejaj dhe doktor Naser Rafuna, meqë rast vizituam zonjën që është bërë nënë për herë të parë, por njëkohësisht është edhe lindja e parë e vitit 2026. E uruam e i dëshiruam shëndet dhe kishte një rrethanë shumë të veçantë meqë ka lindur trenjakë, tre djem, tri foshnje të gjinisë mashkullore. Ky ishte gëzim i posaçëm për të gjithë ne në vitin 2026, urojmë familjen, në veçanti nënën e cila vjen nga rajoni i Gjilanit dhe i dëshirojmë të gjithë të mirat në jetën e mëtutjeshme. Orën e fundit të vitit 2025 e kalova në qendrat e Policisë së Kosovës, ndërkaq takimin e fundit për vitin 2025 dhe takimin e parë për vitin 2026 e kisha në ushtrinë tonë në FSK, ndërkaq orën e parë të vitit 2026 po e kaloi këtu në spital me kolegë, dashamirë me njerëz të cilët sjellin jetë në jetë", tha Kurti.